Të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor, në rastin e kthyer në rigjykim ndaj të akuzuarit për dallavere me prona në Lipjan, R. LL
LL. akuzohet se më 12 maj 2009, në ish-Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së saj, të dëmtuarën Millka Simijonoviq.
Kjo, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurosh, me arsyetimin e tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.
Gjatë kësaj seance, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Xhafer Maliqi, ka parashtruar propozim që për seancën e ardhshme të sigurohen të dhënat mbi hyrje – daljet e dëshmitares Smilana Markoviq, e cila kishte deklaruar se në ditën ku kishte ndodhur rasti kishe qenë në Kosovë, ndërsa sipas tij del se po e njëjta kishte qenë atë ditë në Serbi, dhe në Kosovë kishte ardhur të nesërmen. Andaj sipas Maliqit, një gjë e tillë është shumë relevante pasi që përmes këtyre hyrjeve – daljeve do të vërtetohet kredibiliteti i dëshmitares në fjalë.
Lidhur me këtë propozim, avokati Maliqi është njoftuar nga gjyqtari Kujtim Krasniqi se sigurimi i një prove të tillë do të mund të ndikonte në zvarritjen e procedurës, por Maliqi përkundër kësaj ka thënë se qëndron prapa këtij propozimi.
Mbrojtësi i të pandehurit R. LL, avokati Fehmi Shala, ka thënë se kjo është një metodë me anë të së cilës përfaqësuesi i palës së dëmtuar po tenton ta parashkruaj këtë rast.
“Unë kundërshtoj propozimin për provën e paraqitur nga i autorizuari i palës së dëmtuar. Pala e dëmtuar përmes të autorizuarit të tyre po tenton me çdo kusht që këtë lëndë ta parashkruaj. E gjithë kjo për arsye që të mos vërtetohet pafajësia e të akuzuarit në këtë rast”, ka deklaruar avokati Shala.
Gjatë seancës së sotme, është aprovuar propozimi i mbrojtjes që si provë të lexohet edhe të procedohet deklarata e dëshmitarit Agim Hajdari e dhënë tek noteri.
Meqenëse, që nga seanca e fundit e këtij rasti kishin kaluar mbi tre muaj, ky gjykim ka filluar rishtazi.
Gjyqtari Kujtim Krasniqi deklaroi se meqenëse nuk dihet se kur do të sigurohet prova e kërkuar nga pala e dëmtuar, nuk mund të caktojnë tash datë të seancës, por palët do të njoftohen me ftesa të veçanta në momentin që sigurohet kjo provë.
Ndërkaq, ne seancën e mbajtur më 1 shkurt 2018, në të cilën kjo lëndë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, R.Ll akuzuar për mashtrim lidhur me një pronë në Lipjan, është deklaruar përsëri i pafajshëm.
Sipas aktvendimit të marrë nga ana e Gjykatës së Apelit, më 16 janar 2017, Gjykata Themelore kishte bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale kur kishte marrë vendim për dënimin e të akuzuarit Ll, me gjashtë muaj burgim efektiv.
Sipas të dhënave, ky proces gjyqësor kishte qenë në rigjykim edhe në vitin 2016, ku më pas ishte marrë vendimi më 18 maj 2016, lidhur me shpalljen e të akuzuari Ll, fajtor për veprën penale “mashtrimi”.
Mirëpo, pas ankesës së avokatit Fehmi Shala këtë aktgjykim e ka anuluar Gjykata e Apelit dhe lëndën e ka kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari R Ll, më 12 maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së saj, të dëmtuarën Millka Simianoviq.
Kjo, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurosh, me arsyetimin e tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.
LEXO MË SHUMË: https://betimiperdrejtesi.com/drejtori-i-arsimit-ne-lipjan-nuk-e-pranon-fajesine-per-cenim-te-te-drejtave-te-punesimit/


