Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka thënë se pagat e profesorëve dhe mësimdhënësve në Kosovë duhet të rriten në përputhshmëri me cilësinë e mësimdhënies dhe performancën e tyre.
“Ju kam thënë edhe sindikalistëve se do t’i mbështesë në rritjen e pagave në proporcion me performancën e profesorëve dhe mësimdhënësve. Pagat që i marrim duhet t’i meritojmë. Tani pagat në arsim janë të dinjitetshme dhe nuk jam i sigurt që ne profesorët edhe i meritojmë ato paga për punën që e bëjmë. E pikërisht për këtë, ne si Qeveri kemi vendosur ta nisim procesin e vlerësimit të performancës”, ka thënë ministri Bajrami.
Këtë deklaratë, ministri Bajrami e ka bërë të martën në Gjakovë, gjatë një vizite që i ka bërë Universitetit Publik “Fehmi Agani” dhe dy shkollave tjera në këtë komunë.
Në një takim me zyrtarët komunalë, si dhe me menaxhmentin e studentët e Universitetit të Gjakovës, ministri ka thënë se ka ardhur koha që të gjitha instancat të punojnë bashkërisht për ngritjen e cilësisë së arsimit, e në veçanti të arsimit të lartë, sektor i cili, sipas tij, nuk është duke reflektuar cilësinë e kërkuar./zeri/


