VV në Lipjan e quan të dështuar qeverisjen e Imri Ahmetit

PUBLIKUAR

Imri-Ahmeti

Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar si të dështuar qeverisjen e Imri Ahmetit me Komunën e Lipjanit. Sipas një njoftimi të lëshuar për medie, dega e VV-së në Lipjan ka vlerësuar se një vit është çuar dëm nga kjo qeverisje.

Për më tëper lexojeni të plotë reagimin e VV-së.

Lypjani, Imri Ahmeti, dhe viti i çuar dëm

Qytetarët e Lypjanit të lodhur nga keq qeverisja, paligjshmëria dhe përfitimet personale të zyrtarëve të komunës, në zgjedhjet e 2013 kërkonin ndryshim të drejtimit të komunës. Por u zhgënjyen rëndë kur kuptuan që kanë zgjedhur emra të rinj, por mendësinë e njëjtë. Imri Ahmeti dhe ekipi i tij, gjatë kësaj periudhe të qeverisjes besnikërisht kanë vazhduar atë çfarë kishte lënë si model Shukri Buja; punësimin e familjarëve të tij dhe të kabinetit, degradimin e arsimit, duke punësuar stafin tërësisht mbi baza partiake dhe për më tepër duke ndarë pozitat e drejtorëve dhe të zëvendësdrejtorëve të shkollave në kuadër të pazareve politike të koalicionit lokal. Këtë e vërteton edhe vendimi i Drejtorisë së Arsimit për rishpalljen e konkursit pas fillimit të vitit shkollor, si rrjedhojë e shkeljeve që kishte gjetur Inspektorati i Arsimit mbi trajtimin e padrejtë dhe të kundërligjshëm të dhjetëra mësimdhënësve që kishin punuar mbi 15 vjet në shkollat e Lypjanit, duke u shkelur të drejtat e tyre elementare, diskriminuar dhe duke ua baltosur integritetin moral e profesional përmes përjashtimit nga puna dhe zëvendësimit të tyre me aktivistë partiakë.
Më tej dhe njëjtë si më parë, paligjshmëria në veprime dhe orientimi i investimeve publike vetëm në zonat prej nga vijnë kryetari dhe zyrtarët e partisë së tij janë tipare të përhershme e kësaj qeverisje. Një qasje të padrejtë, por të privilegjuar për kastën e tij që e kishe vendosur Shukri Buja, po e vazhdon me fanatizëm edhe Imri Ahmeti, duke e trajtuar komunën si plaçkë për të përmbushur apetitet dhe kërkesat e shfrenuara të ekipit dhe të zyrtarëve të partisë së tij. Nëse Shukri Buja e kishte veçuar fshatin e tij në investime të komunës, njësoj Imri Ahmeti thuajse rrugën e parë që e përuroi gjatë këtij viti, ishte rruga në fshatin e tij Torinë. Nëse qeverisja e mëparshme punësonte djemtë, vajzat dhe gratë e tyre në institucionet lokale, qeverisja aktuale punëson dajallarët, nipërit, kunatat, gratë e axhallarëve dhe kushërinjtë e tyre.

Në anën tjetër, as edhe një dosje apo kontratë e vetme e paligjshme dhe korruptive të qeverisjes së kaluar nuk është denoncuar në organet e prokurorisë, me gjithë abuzimet e mëdha që kanë ndodhur në mandatin e kaluar. Kjo flet shumë dhe shpreh orientimin e strukturës aktuale për të vazhduar keqpërdorimin e parave të taksapaguesve dhe tregon se kryetari Imri Ahmeti është i shantazhuar me abuzimet e tij nga mandati si Kryeshef Ekzekutiv i Komunës.

Qytetari i komunës së Lypjanit, sot ashtu si më parë përballet me babëzinë e zyrtarëve komunalë, mungesën e kompetencës dhe të përvojës së drejtorëve të komunës, sistem të arsimimit të dobët dhe të politizuar, sektori i shëndetësisë me probleme në shërbim dhe mungesë të barnave esenciale, gjendje të vështirë sociale dhe projekte publike të realizuara keq dhe pa konsultim publik paraprak, siç është së fundi renovimi i trotuareve të qytetit që filloi në muajin e fundit të vitit për t’u ndërprerë nga reshjet dhe moti i ftohtë, duke bërë që qytetarët të qarkullojnë rrugëve në mungesë të trotuareve, të cilët jo që nuk u rinovuan por të paktën për periudhën e dimrit u shndërruan në pellgje uji e pista skijimi.

Ndërtimi pa leje vazhdon me tempon e njëjtë, gjersa hapësirat publike edhe ashtu të kufizuara po zihen çdo ditë e më tepër e procesi i legalizimeve po i përshtatet interesave të kastës së tyre dhe jo të qytetarëve. Mostrajtimi i deponive të egra nëpër fshatrat e komunës ka bërë që disa fshatra siç është Babushi, të jene të pajetueshëm nga kundërmimi dhe rrezikimi i drejtpërdrejtë i shëndetit të banorëve, gjersa akumulimi transitor i mbeturinave të qytetit në hapësirën e oborrit të shkollës së mesme profesionale “Adem Gllavica”, po e rrezikon seriozisht shëndetin e nxënësve. Për më tepër, stacioni i autobusëve, për të cilin kishte premtuar se do ta rifunksionalizonte, jo vetëm që nuk është funksionalizuar, por vazhdon të shërbejë si vend i hedhjes së mbeturinave dhe strehë e qenve endacakë.

Me mbi 120 premtime, qeverisja lokale bashkë me paaftësinë e tyre janë strukur në zyrat e Komunës për të projektuar dhe përmbushur planet e përfitimeve personale, punësimin e familjarëve dhe të militantëve partiakë, ndarjes së zonave të përfitimit në mes të partnerëve të koalicionit lokal, dhënien e lejeve të ndërtimit për financuesit e fushatës së tij e deri tek degradimi i ambientit, duke shkulur blirët e vjetër pesëdhjetë vjeçar. Ndërkaq, zotimet për transparencë kanë rezultuar me kufizimin e saj deri në dëbim të organizatave të shoqërisë civile nga monitorimi i funksionimit të qeverisjes lokale, si dhe emërimin e militantëve partiakë në panele dhe komisione të caktuara në emër të shoqërisë civile. Ndërkohë që abuzimi me resurset dhe pasurinë publike vazhdon të sofistikohet dhe të thellohet edhe më tej.

Së fundi raporti i OJQ-së lokale mbi monitorimin e punës së ekzekutivit komunal më së miri e nxjerrë paaftësinë dhe dështimin e Kryetarit për të përmbushur premtimet elektorale, sipas këtij raporti administrata aktuale ka pasur këtë ritëm të përmbushjes së premtimeve:

93 Premtime ose 79.48 % pa asnjë përpjekje ose angazhim konkret në realizimin e premtimeve;
5 Premtime ose 4.27 % ka shenja pozitive në realizimin e premtimit;
0 Premtime ose 0.00% ku procesi ka filluar në realizimin e premtimit por me ngecje;
4 Premtime ose 3.41% procesi ka filluar në rrugë të mirë;
12 Premtime ose 10.25% ka hapa konkrete në realizimin e premtimeve;
3 Premtime ose 2.56% të realizuar plotësisht.

Këto janë vetëm disa nga shkeljet dhe dështimet më të rënda të kësaj qeverisje, të cilat tregojnë rrugën që ka zgjedhur kjo strukturë, duke ndjekur tërësisht rrugën e trasuar nga qeverisja e kaluar dhe duke zhgënjyer pritjet e qytetarëve për ndryshime dhe shërbime më të mira ndaj tyre./gazetablic/

SHIKO MË SHUMË

Buja me rastin e betimit të asambleistëve: Urojmë që angazhimi juaj të jetë i mbarë dhe i suksesshëm

Shukri Buja ka ururar 10 asambleistët e zgjedhur për kuvendin e komunës së Lipjanit,...

Imri Ahmeti betohet si Kryetar i Komunës së Lipjanit

Imri Ahmeti është betuar si Kryetar i Komunës së Lipjanit. postimi plotë nga Ahmeti:   Të dashur...

Zjarr në fshatin Kojsk të Lipjanit, lëndohen dy persona

Një zjarr ka shpërthyer gjatë ditës së diel në fshatin Kojsk të Lipjanit, ku...