Në Lipjan pronarët e lokaleve të rrënuara paralajmërojnë padi ndaj komunës

PUBLIKUAR

Lipjan, 13 nëntor – Bizneset në Lipjan pritet ta drejtojnë në gjykatë çështjen e rrënimeve të ditëve më parë, ndërsa paralajmërojnë deponimin e një varg dokumentesh që provojnë fajësinë e Komunës dhe të drejtën e tyre.

Ky reagim ndërkaq vjen vetëm dy ditë pasi që tri biznese të Lipjanit, një market dhe dy kafene ishin cak i një buldozeri që kishte demoluar pjesët e jashtme të të tria bizneseve. Autoritetet komunale të Lipjanit patën ndërmarrë të martën një aksion, siç është thënë, për të liruar hapësirat publike.

Dhe përderisa Komuna po pretendonte se ka të drejtë në këtë plan, bizneset e dëmtuara me ketë rast po këmbëngulin se Komuna ka kryer rrënime selektive dhe se ka vepruar me vendime kontradiktore.
Fitim Krasniqi, pronar i biznesit, ka thënë se po përgatit dokumentacionin me gjithë faktet e argumentet, ndërsa shprehet se ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës për drejtësi në rastin e marketit të tij.

“Sipas të gjitha gjasave do të shihemi në gjyq me komunarët dhe atje do të ndahet drejtësia. Ne kemi gati gjithçka, kemi dokumentacione, vendime kontradiktore të Komunës dhe veprime jo të ligjshme që besojmë se do të shërbejnë mjaftueshëm për në gjykatë”, ka thënë Krasniqi.
Për më tepër, pjesët e jashtme të marketit dhe të dy kafeneve “Check In” dhe “Tip Top” ishin rrënuar të martën. Por Fitim Krasniqi, pronar, ka ripërsëritur qëndrimin se Komuna ka dhënë urdhrin për rrënim me shumë shkelje ligjore.

Ai ka akuzuar po ashtu se kreu komunal po konfirmon idenë e rrënimeve selektive dhe jo sipas rregullave dhe pa dallim. Madje ai thotë se s’ka pasur as të drejtë ankese në vendimin komunal për rrënim.
“Nuk është në rregull të merret aktvendim për rrënim me afat të shpejtë dhe pa të drejtë ankese. Kjo e para, kurse e dyta, ne e kemi pasur një vendim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për shfrytëzim të hapësirës deri më 10 dhjetor 2014. Kjo Komunë pa e shfuqizuar atë vendimin e parë ka marrë vendim tjetër dhe kjo është shkelje e rëndë ligjore”, ka thënë Krasniqi.

Sipas asaj që ofron vetë Krasniqi, ekzistojnë dy vendime. Në të parin që mban datën 10 tetor 2014, dhe që është lëshuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, ku thuhet se aprovohet kërkesa e NTSH “Le Shop” për shfrytëzimin e hapësirës publike në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan dhe se lejohet shfrytëzimi i përkohshëm i pronës komunale me sipërfaqe prej 48 metrash katrorë, prej datës 10 tetor 2014 deri më 10 dhjetor 2014.

Shuma e pagesës ishte caktuar të jetë 96 euro, ndërsa vendimi hynte në fuqi menjëherë. Kurse në aktvendimin e dytë Komuna vetëm se ka dhënë urdhër të kryhet lirimi i hapësirës publike, nuk ceket shfuqizimi i vendimit të parë dhe se pala është pa të drejtë ankese. Ndërkohë që edhe një tjetër biznes që i është rrënuar mbuloja e jashtme po ankohet se Komuna nuk veproi drejt. Qëndrim Sefedini, pronar i kafetërisë po këmbëngul se Komuna rrëzoi lokalet vetëm të kohës prejse në pushtet erdhi Imri Ahmeti dhe jo ato që kanë nisur punën në kohën e Shukri Bujës dhe që njëjtë janë pa leje për shfrytëzim të hapësirës publike.

Por vetë autoritetet komunale lidhur me këtë rast kanë deklaruar ndryshe me atë që mendojnë bizneset. Alban Nuredini, zëdhënës i Komunës, ka thënë se qëllimi i gjithë këtij aksioni ishte lirimi i pronës komunale, si dhe respektimi i Ligjit kundër duhanit.

“Drejtoria e Inspektoratit gjatë ditës së martë ka ndërmarrë një aksion, për lirimin e pronave publike komunale nga ana e disa bizneseve, të cilat i kanë uzurpuar këto prona komunale, pa ndonjë leje përkatëse nga organi kompetent komunal. Të gjitha këto biznese janë njoftuar me kohë me aktvendim për lirimin e pronës komunale. Dhe përderisa pronarët nuk e kanë respektuar udhëzimin nga Inspektorati, për heqjen e këtyre tendave të mbyllura, të gjitha janë rrënuar”, ka thënë ai.
©KOHA Ditore

SHIKO MË SHUMË

Aksident te rrethi i Lipjanit, policia del në vendin e ngjarjes

Një aksident trafiku ka ndodhur para pak minutash tek rrethi i Lipjanit. Sipas pamjeve të...

Therje me thikë në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se është raportuar se viktima mashkull kosovar, ishte rrahur nga...

Pesëvjeçari nga Lipjani në gjendje stabile, lirohet nga QKUK, merret nga QPS në Gjakovë

Fëmija pesëvjeçar nga Janjeva e Lipjanit, i cili u keqtrajtua nga prindërit e tij,...