Rinia shqiptare në Turqi e vendosur për ruajtjen e identitetit kombëtar

PUBLIKUAR

Angazhimi më i madh i rinisë dhe  i studentëve, si brez i ardhshëm i liderëve, është i domosdoshëm. Shqiptarët janë njohur në botë si një komb me rini kreative, inteligjente dhe punëtore, duke ia shtuar këtyre edhe numrin e madh, me të cilin përfaqësohen.

Ministria e Diasporës, në kuadër të përgjegjësive e përmbushjes së objektivave dhe planit të veprimit që dalin nga Ligji i Diasporës dhe Mërgatës, si dhe Strategjia për Diasporën dhe Mërgatën, e ka iniciuar themelimin e rrjetit për të rinjtë dhe studentët në Republikën e Turqisë, në Stamboll,  rrjet ky që do të iniciojë bashkëpunimin ndërmjet shoqatave të të rinjve dhe studentëve në Turqi.

Më pas, ky bashkëpunim do të bartet edhe në vendet e tjera të botës.

“Ky rrjet u krijua në praninë e rreth 20 përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme rinore në Turqi dhe individëve, në mesin e të cilëve i pranishëm ishte edhe kampioni i Turqisë në pingpong, si dhe studentë të tjerë ekselentë në fushat e tyre përkatëse”, thuhet në njoftim.

Pas një diskutimi dy orësh, në ambientet e një biznesi të suksesshëm shqiptar, u krijua edhe grupi koordinues prej 11 vetash, të cilët në një të ardhme të afërt do ta themelojnë edhe strukturën e rrjetit.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës, Osman Shahini, bashkë me konsullin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Stamboll, Rrahim Morina, dhe u.d. drejtori i Qendrës Kulturore në Turqi, Qamil Bytyqi, e përshëndetën organizimin, duke porositur se rinia shqiptare në diasporë është një fuqi e madhe si intelektuale, ashtu edhe artistike, dhe kjo fuqi, pasi të bashkohet, duhet të shfrytëzohet për ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e pozitës të të rinjve në vendet ku jetojnë.

Po ashtu, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës, Shahini, mbajti një takim me përfaqësuesit e më shumë se 20 shoqatave shqiptare në Stamboll dhe rrethinë, të cilët i njoftoi për punën e Ministrisë së Diasporës, në veçanti në ruajtjen e identitetit dhe gjuhës, për çfarë edhe kërkoi angazhim nga shoqatat që t’i japin prioritet sensibilizimit për mësimin e gjuhës shqipe nga diaspora shqiptare në Turqi.

“Ruajtja e identitetit është një hallkë e rëndësishme e punës së Ministrisë. Por, ajo që,  po ashtu, është  e vlefshme është potenciali ekonomik për ata që mësojnë gjuhën shqipe”, theksoi Shahini, duke cekur shembuj të investitorëve të ndryshëm nga Turqia në Kosovë dhe të atyre që mbajnë pozita të larta në organizata ndërkombëtare në Kosovë e Shqipëri e që kanë prejardhje shqiptare.

Në anën tjetër, konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Stamboll, Morina, theksoi kontributin e diasporës shqiptare në ndihmën dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

U rikthye në Kuvend, flet Vjosa Osmani

Vjosa Osmani ka reaguar pas rikthimit si deputete në Kuvendin e Kosovës. “Po rikthehemi aty...

Zona 60/ BMW kapet me 178 km/h në Shtime, shoferi gjobitet me 500 euro

Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer për tejkalim ekstrem të shpejtësisë në komunën...

Kurti: Albulena Haxhiu do vazhdojë të jetë u.d Presidente, si unë Kryeministër në detyrë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë si ai, edhe Albulena Haxhiu është ende...