Kryeministri Isa Mustafa mohon kategorikisht qëndrimet e opozitës se marrëveshja për asociacionin mund ta bosnjëzojë Kosovën.
Në një intervistë për RTV 21, kryeministri Mustafa theksoi se gjatë dialogut në Bruksel, delegacioni kosovar ka qenë shumë i kujdesshëm që të mos lejojë një gjë të tillë dhe se për këtë çështje ka pasë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, përfshirë edhe të kancelares Merkel.
Mustafa theksoi se askush nuk duhet që të shqetësohet nga Asociacioni, sepse të gjitha çështjet që lidhen me të do të kalojnë përmes institucioneve të Republikës së Kosovës, e veçmas Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri konsideron se Serbia me pranimin e kësaj marrëveshjeje përfundimisht e ka pranuar Planin Ahtisaari, dhe se këto zgjidhje derivojnë nga Pakoja e Ahtisaarit.
“Në Pako, te pjesa e pushtetit lokal përpunohet dhe sqarohet mjaft shumë relacioni i bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe është lënë mundësi mjaft e gjerë e formave të bashkëpunimit ndërkomunal”, tha Mustafa, duke shtuar se asgjë nga marrëveshja e Asociacionit nuk del jashtë Kushtetutës së Kosovës.
Kryeministri po ashtu ka thënë se AKS nuk do të ketë asnjë element të pushtetit ekzekutiv apo të pushtetit të tretë dhe se nuk do të ketë mundësi që të vendosë në emër të komunave, gjë që do të krijonte asimetri të pushtetit.
Ai po ashtu ka folur për ekonominë, duke veçuar reformat fiskale, Fondin për Garantimin e Kredive, Ligjin për Faljen e Borxheve, përmirësimin e ambientit të biznesit dhe rënien e normave të interesit nga bankat. Mustafa ka veçuar rëndësinë që do të ketë për zhvillimin ekonomik aprovimi i Ligjit për Investime Strategjike, i cili do të mundësojë që Qeveria të negociojë drejtpërdrejtë për ardhjen e investitorëve të jashtëm, në mënyrë që ata të mos dekurajohen nga aspektet procedurale.
Mustafa shprehet po ashtu se i vjen keq që Kosova ka një parti si Lëvizja Vetëvendosje, siç ka thënë ai me logjikë kriminale. Këtë parti e ka krahasuar me ShIK-un.
“Jam mësu me këta të Vetëvendosjes sepse këta punojnë si SHIK në veti, si Agjencion në veti dhe konstruktojnë gjëra të tilla”, tha Mustafa. “Fati më i keq do të ishte që ata të kishin më shumë forcë, ata e morën Prishtinën”./Telegrafi/


