Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim me kusht dhe dënim me gjobë në shumën prej 1000 euro, për të akuzuarin për vjedhje, H.N
Mirëpo, dënimi me burg me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej një viti, i akuzuari nuk do të kryejë vepër tjetër penale.
Gjykatësi Avdirrahman Gashi, e ka obliguar të akuzuarin edhe me shpenzimet procedurale në shumën prej 20, në emër te paushallit gjyqësor dhe 30 euro, në emër të kompensimit të viktimave.
Kurse, i dëmtuari D.Y, është udhëzuar në kontest civil.
Para shpalljes së aktgjykimit nga gjykatësi Gashi, i akuzuari N, e pranoi fajësinë për veprën penale e cila i bie në barrë, duke shtuar se ditën kritike ka qenë i dehur dhe nuk ka qenë në dijeni se çfarë ka bërë.
Ai ka shtuar se ndihet shumë keq dhe shumë i penduar për veprimin e bërë dhe se është hera e parë që bie ndesh me ligjin, dhe ka kërkuar nga gjykata një dënim sa me të lehtë, pasi që jeton në Finlandë me familje.
Prokurori i çështjes R.P, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas tij, ky pranim është bërë në pajtim me dispozitat përkatëse të KPPRK-së.
Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari H.N. më 21 shtator 2014, rreth orës 9:20, me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme, vetit t’i sjell përfitim pasuror, të kundërligjshme, derisa ishte brenda Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, konkretisht në lokalin “Fre Shop UNIFRE”, ka marr një orë dore, e cila e ka pasur çmimin e shitjes në vlerë prej 679 euro.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuar N. duke e kryer këtë veprim, është incizuar nga kamerat e sigurisë së dyqanit dhe më pas është larguar nga aty dhe ka udhëtuar për në Helsink–Finland, me ç’rast të dëmtuarit i kishte shkaktuar dëm material
Ai akuzohej se me këtë veprim, ka kryer veprën penale “vjedhje” nga neni 325 par 1 të KPRK-së.
betimiperdrejtesi.com
Dënohet me kusht dhe gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë se vodhi një orë dore në aeroport


