Forcat siriane fillojnë sulmet në bastionin e fundit të ISIS-it

Koalicioni i forcave siriane, të udhëhequr nga kurdët dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, e kanë nisur një varg përfundimtar të sulmeve për ta mposhtur grupin e ISIS-it, të cilët e kanë ende nën kontroll një territor të vogël në lindje të Sirisë.

Zëdhënësi i Forcave Demokratike Siriane, Mustafa Bali, ka njoftuar se sulmet kanë filluar të shtunën pas zhvendosjes së më shumë se 20 mijë civilëve nga zona e kontrolluar nga ISIS-i në provincën lindore të Deir ez-Zorit. Përmes një deklarate, këto forca kanë treguar se sulmet e tyre do të përqendrohen në fshatin e Baghuzit.

Falë mbështetjes nga forcat amerikane, Forcat Demokratike Siriane kanë arritur ta shporrin ISIS-in nga një pjesë e madhe e territorit në veri dhe në lindje të Sirisë, duke e kufizuar kontrollin e tyre në vetëm një pjesë të vogël në kufi me Irakun.

Grupi terrorist tashmë e kontrollon vetëm 1 për qind të territorit që dikur e quante “kalifat” të vetin dhe i cili shtrihej në Siri dhe Irak. Javëve të fundit, mijëra civilë, përfshirë familjet e luftëtarëve të ISIS-it, janë zhvendosur nga zona e kontrolluar nga ky grup.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ISIS-i e ka humbur 99.5 për qind të territorit që e kishte nën kontroll dikur. Sipas tyre, ky grup tash e kontrollon një sipërfaqe prej vetëm pesë kilometrash katrorë. Sidoqoftë, vëzhguesit dhe banorët vendës kanë thënë se ISIS-i ende ka baza në Siri dhe janë duke u përgatitur për rimarrje të kontrollit në disa territore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express