Derisa Komuna e Prishtinës ka angazhuar 210 persona me kontratë mbi vepër në vitin 2016, në po këtë vit me një hile të vogël e ka lënë institucionin pa mbikëqyrje të auditorit të brendshëm- rrjedhimisht i ka lënë pa angazhim 4 auditorët e saj intern.
Siç ka raportuar kohë më parë Gazeta Express për fenomenin e punësimit të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, të drejtuar nga Shpend Ahmeti, përmes kontratave mbi vepër-shërbime të veçanta, edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka qenë kritike ndaj këtij institucioni në këtë pikë. ZKA madje e konsideron me prioritet të lartë këtë çështje.
“Sipas regjistrit të pagesave, gjatë këtij viti janë angazhuar 210 zyrtarë me kontratë për shërbime të veçanta që paraqet një numër të reduktuar nga viti i kaluar (276). Me rastin e përzgjedhjes së këtyre individëve, nuk ishin zbatuar procedura të thjeshtësuara të rekrutimit” raporton ZKA dhe tërheq vërejtjen që kjo praktikë e Prishtinës do të manifestohet nga një mungesë e konkurrencës dhe cilësia e shërbimeve të ofruara mund të jetë e nivelit të dobët.
Megjithëse ka angazhuar ekstra mbi 200 punëtorë me kontratë mbi vepër, një pjesë e tyre militantë të Vetëvendosjes, Komuna e Prishtinës i ka lënë pa punë të katër auditorët e brendshëm (NjAB).
“Gjatë vitit 2016, përveç një auditimi të veçantë të kërkuar nga kryetari i komunës mbi procedurat për tjetërsim të pasurisë jo financiare në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, NjAB nuk ka kryer asnjë auditim të brendshëm”, konstaton ZKA, raporton Express.
ZKA’ja shpjegon edhe se si u la Komuna e Prishtinës pa mbikëqyrje nga Auditori i Brendshëm- dhe hilja ishte e thjeshtë: draft plani strategjik dhe ai vjetor për vitin 2016 për punën e kësaj njësie nuk ishin nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Administrativ, që është kryetari i Komunës, në këtë rast Shpend Ahmeti, dhe për këtë arsye “auditori i brendshëm, pa plan të aprovuar për auditime, nuk kishte kryer më auditime”.
Auditorët më vonë kishin raportuar tek një tjetër institucion i njohur si Njësinë Qendrore Harmonizuese për Auditim të Brendshëm për mos funksionimi i kësaj njësie dhe sfidat mes menaxhmentit, “por nuk ka pasur ndonjë reagim nga NjQH/AB”, konstaton Auditori i Përgjithshëm.
Komuna e drejtuar nga Vetëvendosja nuk ka lënë madje asnjë derë që të ngritët problemi i mungesës së kontrollit të brendshëm nga auditorët edhe për faktin se as komiteti për auditim të brendshëm nuk ishte funksionalizuar që nga viti 2015 ku ai doli jashtë funksionit kur kryesuesi i tij kishte dhënë dorëheqje dhe “komiteti nuk kishte mbajtur ndonjë mbledhje dhe njëkohësisht nuk është caktuar ende kryesuesi i ri”, konstaton ZKA, raporton Express.
Auditori i Përgjithshëm i ka kushtuar vëmendje të madhe kësaj çështje duke konstatuar se mos-funksionimi adekuat i sistemit të auditimit të brendshëm, zvogëlon sigurinë që i ofrohet menaxhmentit në lidhje me funksionimin e sistemeve kyçe financiare, “sidomos në një ambient organizativ si Komuna e Prishtinës, ku ka një numër të shkollave, institucioneve vartëse apo edhe njësive tjera të cilat krijojnë të hyra dhe shpenzime të cilat do të duhej t’i nënshtroheshin një numri auditimesh të kohëpaskohshme”, konstaton ZKA.
Edhe një vit më parë Komuna e Prishtinës ishte kritikuar nga ZKA po për mos-efikasitet të auditorëve të brendshëm, dhe si atëherë edhe tash kjo çështje është vendosur si prioritet i lartë./GazetaExpress/


