Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se dita e sotme, e enjte, do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët, me reshje të lehta shiu dhe erëra të forta në vend.
Sipas parashikimit, temperaturat maksimale do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, vlera relativisht të larta për këtë periudhë të nëntorit.
Gjatë ditës do të fryjë erë e fortë nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa gjatë rafaleve mund të arrijë intensitet edhe më të lartë.
Reshjet e shiut pritet të jenë të lehta, me sasi që lokalisht mund të arrijnë rreth 1 milimetër brenda tri orëve.
IHMK ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për shkak të erërave të forta, duke këshilluar qytetarët që të sigurojnë objektet e lehta në ballkone, oborre dhe hapësira të jashtme.
Kujdes i veçantë rekomandohet edhe gjatë qarkullimit rrugor, sidomos në rrugët dhe hapësirat e ekspozuara ndaj erës.


