Presidenti i sapo zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka emëruar sot kritikun e “Obamacare”, Tom Price, si Sekretar amerikan të Shëndetësisë.
Price, kongresmen dhe kirurg ortopedik, udhëheq Komisionin për Buxhet në Dhomën e Përfaqësuesve, transmeton Express.
Ai do të luajë një rol qëndror në planet e republikanëve për ta zëvendësuar Aktin e Përballueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i njohur si “Obamacare” në SHBA dhe i iniciuar nga presidenti Barack Obama.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump u pat zotuar se do ta shfuqizonte dhe zëvendësonte këtë akt.
Por, që atëherë, Trump ka thënë se është i pajtimit për t’i mbajtur disa dispozita të caktuara të këtij akti.
Trump e ka përshkruar Price-in si veçanërisht të kualifikuar, si dhe iu ka referuar atij si mjeshtër i palodhshëm i zgjidhjes së problemeve dhe ekspert të cilit duhet drejtuar për politika të kujdesit shëndetësor./Express/


