Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, është zotuar se skuadra e tij do të luftojë deri në fund për titull në La Liga, pas barazimit të së dielës me liderin Atletico Madrid.
Luis Suarez e kaloi Atleticon në epërsi herët në pjesën e parë në Wanda Metropolitano, megjithatë Benzema ia shmangu humbjen Realit dhe nuk e lejoi rivalin dhe liderin të shkëputet edhe më shumë në garë për titull duke e shënuar golin e barazimit në çastet e fundit, raporton Gazeta Express.
Atletico mbetet lider tani me 59 pikë, tri më shumë se Barcelona në vendin e dytë dhe pesë më shumë se Reali në pozitën e tretë. Skuadra e Diego Simeones, megjithatë, e ka zhvilluar një ndeshje më pak se dy rivalët e saj dhe rrjedhimisht e ka mundësinë ta rrisë epërsinë ndaj tyre në krye të La Ligës edhe më shumë.
Zidane tha pas ndeshjes së synimi i kampionit në fuqi është të luftojë deri në frymën e fundit kundër rivalit të qytetit.


