Xhamitë në Kosovë kanë mbledhur 400 mijë e 500 euro si mbështetje financiare për të prekurit nga tërmeti në Turqi.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, gjatë një takimi që ka zhvilluar të mërkurën në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Kosovë. Atje ai është pritur nga ambasadori Tunç Angili.
“Myftiu Tërnava fillimisht i dëshiroi ambasadorit punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e ri. Më pas, në emër të tij dhe në emër të gjithë besimtarëve myslimanë, i shprehu ngushëllime për viktimat e tërmetit që goditi Turqinë disa ditë më parë”, thuhet në komunikatën për media të BIK-ut.
Ndërsa nga ana e tij, ambasadori Angili thuhet se ka falënderuar Myftiun Tërnava për vizitën dhe për solidaritetin e treguar të besimtarëve të Kosovës me të prekurit nga tërmeti.


