Vuçiq: Ata të na heqin taksën, ne ta njohim Kosovën – kjo është një tallje

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka ripërsëritur qëndrimin e tij  se “Serbia është e gatshme të bisedojë dhe të arrijë zgjidhje kompromisi për Kosovën, por kurrë nuk do të pranojë të poshtërohet”.

Kreu i shtetit serb këtë deklaratë e ka bërë për gazetën serbe “Novosti”, duke komentuar deklaratat e të ngarkuarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, cili tha të premten në Prishtinë se Serbia nuk mund të hyjë në BE, përveç nëse e njeh një Kosovë të pavarur.

E SPONZORIZUAR

Vuçiq tha se e ka befasuar fakti se zyrtari amerikan foli vetëm për obligimet e Beogradit, e asnjëherë nuk përmendi përgjegjësitë e Prishtinës.

“Nëse gjithçka është ashtu siç tha Matthew Palmer në Kosovë, ku unë prisja që ai të kërkojë të ulin pritjet e autoritetet e Prishtinës dhe t’u tregojë se është i nevojshëm një kompromis, atëherë unë pyes për çfarë të negociojmë”, tha Vuçiq, përcjell Telegrafi.

“Ne ta njohim Kosovën e pavarur, kurse ata të na heqin taksat? Kjo mua ma kujton një tallje. Megjithatë, ne do të jemi të gatshëm për bisedime dhe për të arritur zgjidhje kompromisi, por kurrë nuk do të pranojmë poshtërimin e Serbisë!” presidenti serb.

Ai gjithashtu tha se me shumë kujdes ndoqi të gjitha deklaratat e Palmer dhe tha se “e di se ai është një profesionist i lartë dhe një njeri që e bën punën e tij dretjtpërdrejt në përputhje me politikat e Departamentit të Shtetit dhe SHBA-së”.

“Më habit fakti që Palmer, në Prishtinë dhe Shkup, foli vetëm për obligimet e  Beogradit, kurse disa prej tyre janë shumë të diskutueshme. Asnjëherë, për shembull, nuk përmendi detyrimet reale dhe objektive të Prishtinës, siç është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, që ishte detyrimi i tyre juridik ndërkombëtar, që rridhte nga Marrëveshja e Brukselit dhe të gjitha anekset pasuese të kësaj marrëveshjeje “, tha Vuçiq.

Ai gjithashtu thotë se ishte i befasuar nga fakti që Palmer foli për fushatën agresive të Serbisë për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, “kurse ne kurrë nuk kemi pranuar një marrëveshje që të heqim dorë nga lobimi, as nuk e kemi nënshkruar atë diku”.

Ndryshe, Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, njëherësh edhe i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, të premten ka vizituar Kosovën ku ka takuar krerët shtetëror dhe udhëheqësit e subjekteve politike, të hënën viziton Serbinë, ku do të takohet me krerët e këtij shteti. Temë diskutimi do të jetë vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes dy vendeve. /Telegrafi/