Donald Trump ka kundërshtuar çdo lloj “rivendosje” të marrëdhënieve me Rusinë, por ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Washingtoni dhe Moska duhet të punojnë më mirë se bashku, veçanërisht në Siri.
Trump, i bëri komentet në një intervistë me redaktorë dhe gazetarë nga New York Times.
Ai përsëriti komentet e tij për luftën e SHBA-së në Irak, duke e cilësuar “një prej gabimeve më të mëdha në historinë e vendit tonë”.
Ai tha se ka disa “ide të fuqishme” për t’u marrë me luftën gjashtë vjeçare në Siri, por nuk pranoi të futej në hollësi.
“Duhet ta përfundojmë atë çmenduri që po vazhdon në Siri”, tha ai.
Moska ka mbështetur regjimin e Sirisë në luftën kundër kryengritësve, por Washingtoni ka përkrahur rebelët më të moderuar, dhe do që presidenti i Sirisë, Bashar al Assad, të largohet.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka përsëritur vlerësimet e tij të mëhershme se Rusia dhe SHBA-ja duhet të bëjnë më shumë për të gjetur të përbashkëtat dhe të bashkëpunojnë rreth shqetësimeve të përbashkëta, siç është terrorizmi, raporton Evropa e Lirë.
Por ai kundërshtoi ta quaj një veprim të tillë si “rivendosje” – fjalë kjo që u përdor nga rivalja e tij në zgjedhje, Hillary Clinton, kur ishte sekretare e shtetit, në përpjekje për të rregulluar lidhjet me Moskën”. Përpjekjet dështuan dhe lidhjet dy palësh tani janë në shkallën më të ulët ndonjëherë që prej Luftës së Ftoftë.
“Nuk do ta përdorja atë fjalë (rivendosje), pas asaj çfarë ka ndodhur”, tha Trump.


