Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të mërkurën e ka njohur zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, duke i dhënë fund një politike të jashtme gati 70-vjeçare amerikane.
Rrjedhimisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta zhvendosin Ambasadën nga Tel Avivi në Qytetin e Shenjtë, që për kryeqytetet e pretendojnë edhe palestinezët.
“Është koha ta njohim zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit”, ka thënë Trump, duke folur nga Dhoma e Pritjes së Diplomatëve në Shtëpinë e Bardhë, raporton The New York Times.
I pari i Amerikës ka thënë se qasjet e kaluara ndaj konfliktit izraelito-palestinez, si shtyrja e njohjes së Jerusalemit si kryeqytet, nuk e kanë çuar përpara procesin paqësor.
Udhëheqësit arabë dhe evropianë kanë paralajmëruar se vendimi i presidentit amerikan rrezikon seriozisht të dëmtojë çfarëdo inciative paqësore në të ardhmen, e madje edhe të nxiste një valë të re të dhunës në rajonin e paqëndrueshëm të Lindjes së Mesme. /Express/


