Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri të qartë se pret që Rusia të kthejë Krimenë në Ukrainë si dhe të reduktojë dhunën në Ukrainë, tha të martën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
“Presidenti Trump e ka bërë shumë të qartë se pret që qeveria ruse të de-eskalojë dhunën në Ukrainë dhe të kthejë Krimenë”, tha Spicer në një konferencë të përditshme për shtyp. “Në të njëjtën kohë, ai pret plotësisht dhe do që të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë”, raporton Reuters, percjell Gazeta Express.
“Krimea është pjesë e Ukrainës. Sanksionet tona kanë të bëjnë pikërisht me këtë dhe do të mbeten në fuqi derisa Rusia nuk e kthen gadishullin”, ka thënë ambasadaorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 2 shkurt.
Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, tha se shumica e njerëzve në Krime votuan për t’u bashkuar me Rusinë, raportoi “Russia Today”.
“Është në interes kombëtar dhe ekonomik që SHBA të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë” ka shpjeguar Spicer, duke shtuar se Nikki Haley për Krimenë “flet në emër të presidentit”. /GazetaExpress/


