Trashëgimia kulturore franceze në muret e “Manufacture des Gobelins”

PUBLIKUAR

Trashëgimia kulturore franceze në muret e “Manufacture des Gobelins”

Nga shekulli XV punohen tapiceri në “Manufacture des Gobelins”, që janë e veçanta e kësaj punëtorie që njëherësh është edhe muze. Në atë kohë tapiceritë porositeshin nga mbretërit dhe të pasurit, ndërsa edhe sot e kësaj dite punohet dhe porositë vijnë nga institucionet e ndryshme shtetërore. Pesë deri në tetë tapiceri punohen në vit.

“Dëshirojmë të tregojmë se trashëgimia franceze, nuk është diçka e përfunduar, që ka mbetur në të kaluarën, por është ende e gjallë, edhe sot”, thonë punonjës të këtij muzeu dhe punëtorie. Tapiceritë që janë të ekspozuara në muret e galerisë së Gobelins-it paraqesin ngjarje të periudhave të ndryshe të jetës franceze, të punuara fillimisht në pikturë, nga piktorët e kohës, e pastaj janë punuar me vek, nga leshi dhe mëndafshi. Tapiceritë i kërkojnë administratat, ministritë, presidenca e institucione të tjera, që porositin në këtë punëtori punime të ndryshme për dekor.  “Manufacture des Gobelins” është i vetmi muze i hapur të martave, dhe është vizituar nga përfaqësues të disa shoqatave nga Kosova, që merrem me punëdore. Ky është projekt i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, i implementuar nga ARS Progetti dhe udhëtimi në Paris është mundësuar nga “Culture for all”.

Për të tërhequr klientët privatë, mes viteve 1705 dhe 1730, punëtorët e “Manufacture des Gobelins” kanë njëzetë lloje të tapicerisë “Metamorfozat”.

Lila Skaveli ka thënë se kjo punëtori vazhdon të prodhojë punime edhe sot. “Këtu i kanë 15 vekë dhe punojnë 30 artizanë, punëtorë të artizanateve, por të cilët janë punëtorë të shtetit, punojnë për shtetin”, ka treguar Skaveli, duke shtuar se punojnë tapiceri, qoftë për shtetin francez, por edhe si dhurata me protokoll, për vizitat shtetërore që bëhen në Francë.

Tapiceritë janë punuar nga tema të ndryshme, ndërsa të dhënat për to janë në gjuhën frënge. Njëra prej tyre që ka për temë religjionin, është “Peshkimi i mrekullueshëm”, e marrë nga Besëlidhja e Re. Kjo tapiceri është kërkuar nga murgjit e një kishe në Paris dhe janë punuar katër të tilla, mes viteve 1753 dhe 1756, pra janë katër episode nga jeta e Krishtit. Këto tapiceri janë pikturuar në vitin 1497 me kërkesë të Luigjit XIV.

Një pjesë nga “Iliada” e Homerit është kthyer në tapiceri gjithashtu. Piktori që kishte bërë piktura para se ato të ktheheshin në tapiceri kishte vdekur duke mos i përfunduar pikturat e nisura në vitin 1717, me kërkesën e mbretit, mirëpo ato janë rikopjuar në vitin 1723. “Ka qenë një vepër e dedikuar për galerinë e Eneut në Pallatin Mbretëror edhe pse nuk kishte të bënte me ‘Iliadën’”, shkruan në të dhënat e kësaj tapicerie të punuar mes viteve  1726 deri më 1730.

Rreth këtyre viteve është punuar edhe tapiceria ku shihet ambasadori turk, Mehmet Efendi, në parkun e pallatit të Luvrit, ku ka jetuar mbreti francez. Ambasadori i Perandorisë Otomane, Mehmet Efendi, kishte vizituar Francën më 1721, që t’ia tregojë Perëndimit zakonet e vendit të tij. “Kur ka ardhur ai me ushtarët e tij që ishin me kuaj, janë entuziazmuar dhe ka bërë shumë përshtypje tek parisienët, kështu që një piktor vendosi ta pikturojë këtë ngjarje”, thuhet në informacionet për tapicerinë, derisa thuhet se është ekspozuar në ekspozitën e madhe në vitin 1727 në Parisë. “Duka i Ontenit, një dukë i pasur francez, i kishte pëlqyer aq shumë sa i kërkoi të njëjtit piktor, t’i bëjë edhe tri piktura nga kjo ngjarje. Më pas nga ato piktura janë bërë tapiceritë në punëtoritë e Gobelins”. Tapiceria është punuar mes viteve 1734 dhe 1737. Të gjitha tapiceritë janë të punuara me vek, nga mëndafshi dhe leshi.

“Derisa këta i kanë punuar këtu tapiceritë me vek, ne i punojmë veshjet kombëtare”, thotë Mevlyde Ahmetaj, nga shoqata për punëdore “ABA”. “Me mëndafsh ne punojmë maramat edhe tymni bëhet me pambuk. Kjo është e përbashkët me traditën e tyre. Pëlhura që punohet për këmisha, pështjellakët, të gjitha punohen me lesh, pambuk dhe mëndafsh”, thotë Ahmetaj për “Zërin”.

Një zog i madh, pauna, gjarpri, elefanti, kali, tigri, janë bërë bashkë në tapicerinë  “Elefanti”, e punuar mes viteve 1788 dhe 1792.  “Në mesin e tyre shihet një grua zezake dhe djali i saj që mbledhin fruta. Të gjitha këto janë skena të natyrës dhe të kohës së Indisë, të eksplorimeve që bëheshin në botën përtej Francës”. Në tapiceri është kthyer edhe një pjesë nga historia e Mark Antonit dhe Kleopatrës, dhe është punuar në shtatë modele, e i pari është punuar më 1714.

Krahas tapicerive, në muret e “Manufactures des Gobelins”, janë të ekspozuara edhe pikturat të punuara në vaj, nga të cilat pastaj janë punuar tapiceritë. Disa nga këto piktura i takojnë viti 1757. Në Galerinë e Gobelins-it është edhe arti bashkëkohor. Aty janë karrige, tavolina pune e tavolina e arkitektit. Me këto punime Qeveria e Francës u ka dhënë mundësinë dizajnerëve lokalë që të bëjnë diçka që Qeveria mund të blejë prej tyre, duke bërë kështu që të mos importojnë nga jashtë, por t’i prodhojnë vetë.

Lirije Gjikolli, nga Peja që punon artizanat me qëndisje, thotë se përveçse punohet me vek, kjo është punë krejt ndryshe nga ajo që punohet me vek në Kosovë. “Edhe tek ne punohet me mëndafsh e pambuk, por në mënyrë më ndryshe, është teknikë tjetër”, thotë ajo, duke shtuar se punimet e ekspozuara në Gobelins të kthejnë me shekuj mbrapa, derisa thotë se punimet janë të mrekullueshme.

Luljeta Salihu, nga shoqata artizanale “Dera e hapur” , thotë se në Kosovë me vek më së shumti punohet me lesh, por ka pasur edhe punime  me pambuk, derisa thotë se francezët i kanë kombinuar ngjyrat dhe dizajnet e tyre janë më të bukura. “Tapiceritë te ne janë punuar me lesh të deleve, dhe nuk janë punuar për dekorime, por për nevoja të ndryshme”, thotë Salihu. Ngjyrat që janë përdorur në tapiceri të gjitha janë natyrale, edhe sot tapiceritë që punohen përdoren ngjyra natyrale.

Vizitat në “Manufacture des Gobelins” zgjasin një orë e gjysmë. Vizitorët kanë qasje në gjithë galerinë. Vizitat individuale fillojnë nga ora 11:00 deri në orën 18:00, përveç të hënave , më 25 dhjetor, më 1 janar dhe më 1 maj kur nuk punohet. 6 euro kushton një biletë për një vizitë, 4 euro është për pensionistë dhe për ata që kanë nën 18 vjet, është vizitë falas në galeri dhe, çdo të diel të fundit të secilit muaj është falas në Galeri të Gobelins-it./zeri/

SHIKO MË SHUMË

Mesazh Urimi me rastin e Fitër Bajramit nga Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame Lipjan, Zaim ef. Baftiu

Me emrin e Allahut Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra! Në emër të Këshillit...

Mos e humb mundësinë përmes AD Company

AD Company kujdeset që qdo detaj të dallohet nga të tjerët, me punë dhe...

Shukri Buja nga Magura “Fitorja është e jona”

Shukri Buja ka mbajtur takim në Magure. "Kjo mbështetje e fuqishme dëshmon qartë se banorët...