Tjetër padi për Donald Trump

PUBLIKUAR

U duk se me fitoren e zgjedhjeve të 8 nëntorit, Donald Trump i la pas krahëve akuzat për ngacmime seksuale, por çështja vazhdon ta përndjekë Presidentin e ri amerikan.

Një prej dhjetëra grave që denoncuan raste abuzimesh gjatë fushatës elektorale depozitoi një padi kundër tij në Nju Jork të martën, duke e akuzuar miliarderin për shpifje dhe dëm ekonomik e emocional.

Padia e depozituar nga Summer Zervos, ish-pjesëmarrëse në programin “reality show” të Trumpit “The Apprentice”, fokusohet tek mohimet e akuzave të saj dhe grave të tjera nga ana e manjatit të pasurive të paluajtshme, i vënë në shënjestër për ngacmime të mundshme seksuale.

Zëdhënësja e Trumpit, Hope Hick i cilësoi në atë kohë si absurde pretendimet, ndërsa vetë republikani që merr frerët e Amerikës në 20 janar, i mohoi të gjitha akuzat përmes postimeve në Twitter, deklaratave, intervistave e komenteve në tubim. Gjatë një aktiviteti elektoral në Karolinën e Veriut, në 14 tetor, sugjeroi se akuzueset po i sajonin historitë për publicitet apo për të dëmtuar fushatën e tij.

Në një konferencë për shtyp në Los Angeles, Zervos tha se miliarderi duhej t’i kërkonte falje: “Duke qenë se ai ende nuk më ka kërkuar ndjesë, nuk më ka lënë alternativë tjetër veçse ta padis atë për hir të reputacionit tim”.

Në padi thuhet se gruaja kërkon të gjitha dëmshpërblimet e mundshme, përfshirë ndjesën nga ana e Trumpit. Përfaqësuesja ligjore e Zervos, Gloria Allred, një avokate VIP-ash, e cila ka përfaqësuar edhe gratë që kanë akuzuar komedianin Bill Cosby për abuzime seksuale, gjatë konferencës për shtyp parashtroi mundësinë që Trumpit t’i kërkohej një dëshmi lidhur me rastin. /tch/

SHIKO MË SHUMË

“Do t’ju mallkojë historia…” – Tifozat Kuq e Zi me mesazh për Armand Dukën

Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale në lidhje me...

Nico Gonzalez te Man City në momentet e fundit, Barcelona përfitues i madh i këtij transferimi

Manchester City ka bërë goditjen e madhe në ditën e fundit të afatiti kalimtar,...

E kryer, Joao Felix kalon nga Chelsea te Milani

Sky Sport Italia raporton se Milani dhe Chelsea kanë arritur një marrëveshje për huazimin...