Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti në emër të tij personal, në emër të Institucioneve Komunale dhe të të gjithë qytetarëve të Komunës së Lipjanit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, për ndarjen nga jeta të poetit, rapsodit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Agim Gashi.
E nderuara familje Gashi,
Më lejoni që të shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta, për ndarjen nga jeta të poetit, rapsodit dhe veprimtarit të palodhshëm të çështjes kombëtare, Agim Gashi.
Me ndarjen e tij nga jeta, ne e humbëm një rapsod dhe interpretues të këngëve burimore folklorike shqipe. Agim Gashi, ishte një nga këngëtarët që një jetë të tërë ia kushtoi këngëve folklorike, duke u shëndërruar kështu në një nga emrat e njohur të kësaj lëmie. Krahas punës kulturore, ai dha kontribut edhe në arsim, gjithashtu e çmojmë edhe punën e palodhshme të Agimit në çështjen kombëtare.
Puna dhe vepra e tij do të mbeten kujtimi më i mirë për të gjithë atë që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij. Poeti dhe rapsodi Gashi do të mbahet mend me personalitetin e tij, ndërsa vepra e tij do të ju shërbej brezave që do vijnë në vazhdim.
Andaj, bashkëndjejmë dhimbjen me familjarët dhe të gjithë ata që e njohën Agim Gashin, dhe përmes këtij telegrami, të nderuar familjar pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e poetit dhe rapsodit Agim Gashi.


