Ilaix Moriba vazhdon të mos stërvitet me ekipin e Barcelonës.
Lojtari i rritur në akademinë e “blaugranave” mbetet i izoluar dhe nëse nuk hedh të zezën mbi të bardhë do të qëndrojë në tribunë derisa t’i përfundojë kontrata, raporton Gazeta Express.
Ronald Koeman, trajneri i Barcelonës, në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes së javës së dytë të LaLigas përballë Athletic Bilbaos, komentoi edhe situatën e mesfushorit të ri dhe sipas tij, ka të bëjë me para.
“E di nga klubi se çfarë dëshiron t’i ofrojë këtij lojtari. Këshilla ime është se paratë nuk janë gjëja më e rëndësishme, duhet të luash sa më shumë ndeshje, por lojtari dhe njerëzit pranë tij kanë vendosur ndryshe. Unë jam i zhgënjyer nga kjo situatë. Besoj më shumë në gjërat e futbollit sesa te kontratat. Në moshën 18-vjeçare, paratë nuk mund të jenë kaq të rëndësishme”, tha dje Ronald Koeman
Mirëpo, Moriba ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale dhe natyrisht, u kuptua se ishte reagim direkt për trajnerin Koeman.
“Mijëra thashetheme dhe askush nuk e di të vërtetën”, shkroi ai.
18-vjeçari u promovua në ekipin e parë me ardhjen e Koeman, i cili ia besoi 18 ndeshje, derisa realizoi edhe një gol – por duket se e ardhmja s’do të jetë në Camp Nou. /Gazeta Express/



