“S’mund të pajtohem”, gjykatësi i Speciales e kundërshton në disa pika aktgjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

PUBLIKUAR

Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati janë dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata Speciale. Aktgjykimi mban nënshkrimet e kryetarit të trupit gjykues Charles Smith dhe gjykatësve Guénaël Mettraux dhe Christoph Barthe. Ky i fundit nuk pajtohet me dy kolegët e tij në disa çështje të aktgjykimit, dhe për këtë e ka përfshirë në aktgjykim opinionin e tij, raporton Gazeta Express.

Gjykatësi Christoph Barthe thotë se nuk mund të pajtohet me dy kolegët e tij në dy pika, ndërsa shkruan fillimisht se përgjithësisht pajtohet me dënimin e Gucatit dhe Haradinajt.

“Ndërsa jam dakord me kolegët e mi, nuk mund t’i ndjek në dy pika diskrete. Ato kanë të bëjnë me: (i) interpretimin e elementit subjektiv të veprës penale të kanosjes, siç përcaktohet në nenin 387 të Kodit Penal të Kosovës 2019 (“KPK”); dhe (ii) arsyetimin specifik të aplikuar për dënimin e dy të akuzuarve për veprën penale pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare duke marrë pjesë në një grup në përputhje me nenin 401 (2), (3) dhe (5) përveç veprës së pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare me kanosje të rëndë, sipas nenit 401 (1) dhe (5). Të dyja pikat,megjithatë, nuk ndikojnë në pajtimin tim të përgjithshëm me rezultatin e Aktgjykimit”, thuhet në opinionin e veçantë të gjykatësit Barthe.

Ai ka mospajtim me dy gjykatësit tjerë në çështjen e interpretimit të veprës penale të kanosjes. Barthe shpehu qëndrimin e tij ndërsa theksoi se “kolegët e mi mendojnë se vepra e kanosjes (neni 387) mund të kryhet me qëllim të drejtpërdrejtë ose eventual”.

“Megjithatë, arsyeja e nevojshme për një vepër penale duhet të jetë e përcaktuar për secilën vepër veç e veç dhe në dritën e formulimit të saj”, shkruan ai.

Por, gjykatësi Barthe është i bindur, sikurse kolegët e tij, se Gucati e Haradinaj kanë pasur qëllim t’i frikësojnë dëshmitarët.

“E thënë kështu, pasi unë dhe kolegët e mi jemi të bindur se të dy të akuzuarit kanë vepruar me një qëllim të tillë, shpjegime të mëtejshme në këtë pikë nuk janë të nevojshme”, shkruan ai.

Ndërsa kolegët e tij konstatojnë se Gucati e Haradinaj e kanë kryer “në grup” pengimin ndaj personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, me arsyetimin e miratuar në aktgjykim nuk pajtohet Christoph Barthe, raporton Express.

“Kolegët e mi kanë shpallur dënimin e të akuzuarit në dy baza ligjore, përkatësisht për pengim personal të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (neni 401(1)) dhe për pjesëmarrje në një grup i cili me veprim të përbashkët pengon ose tentontë pengojë një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare (neni 401(2))”, shpjegon ai, duke shprehur mospajtimin për “pranimin e zbatueshmërisë së të dyja dispozitave”.

“Ndërsa jam dakord t’i dënoj dy të akuzuarit në bazë të dy dispozitave ligjore, me keqardhje nuk mund të pajtohem me arsyetimin e miratuar në Aktgjykim”, shkruan gjykatësi Barthe.

Ai gjithashtu nuk pajtohet që kolegët e tij injoruan rregullat e zbatuara nga gjykatat e Kosovës, pasi thotë se ato gjykojnë të njëjtat vepra dhe se “një qasje e tillë lejon që Aktgjykimi në rastin konkret të përfshihet në traditën juridike të Kosovës”.

Gjykatësi Barthe citon një konstatim të Gjykatës së Apelit në Kosovë lidhur me pengimin e perosnave zyrtarë, që thotë se për këtë vepër penale parashihet burgim nga 3 muaj deri në 3 vjet.

“Meqenëse subsidiariteti i heshtur nuk lind as për arsye të tjera, vij në të njëjtin përfundim si kolegët e mi, megjithatë, përmes një rruge tjetër arsyetimi”, shkruan ai.

Gjykatësi Christoph Barthe ka shërbyer si prokuror publik në Gjykatën Federale Gjermane të Drejtësisë që nga viti 2010, ku është i specializuar në ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe gjenocidit.

 

 

SHIKO MË SHUMË

Arrestohet një shtetas turk në Prishtinë, dyshohet se keqpërdori kartelat bankare të të huajve për blerje online

Një shtetas i Turqisë është arrestuar të mërkurën në Prishtinë, nën dyshimin se ka...

E goditi me traktor dhe u largua nga vendi i ngjarjes, prangoset i dyshuari në Viti

Një person është arrestuar në fshatin Debëlldeh të Vitisë, nën dyshimin për veprën penale...

Vjosa Osmani i kërkon presidentes ta kthejë fotografinë e Ibrahim Rugovës

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tash deputete e LDK-së, ka reaguar lidhur me zhvendosjen...