Javën e kaluar sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, u përpoq të bënte një balancim elegant rreth kësaj dileme, duke folur për “shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë”, por gjithashtu edhe për “grupin multietnik të luftëtarëve që po mbrojnë territorin e tyre” brenda Sirisë.
Pavarësisht retorikës anti-Perëndimore të Erdoganit dhe autoritarizmit vendas, Turqia ndan një orientim bazë me Shtetet e Bashkuara dhe me Evropën.
Ashtu si ato të shteteve arabe dhe Izraelit interesat e Turqisë kërcënohen nga një Iran ekspansionist i mbështetur nga Rusia, dy armiqtë tradicionalë të Perandorisë Osmane dhe Turqisë moderne, transmeton “Zeri.info”.
Por kjo përputhje e interesave nuk do të thotë se gjithçka është në rregull mes Uashingtonit dhe Ankarasë. Erdogani dhe pjesa më e madhe e popullsisë turke kanë probleme të mëdha me mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i japin partisë së Bashkimit Demokratik Kurd (PYD) dhe krahut të saj ushtarak, Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG), si dhe forca ushtarake kurdo-arabe që ajo dominon, Forcat Demokratike Siriane.
Turqia është mbërthyer në një betejë të pandërprerë me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, një grupim i cilësuar terrorist nga shumë vende, duke përfshirë SHBA-në dhe BE-në e nuk mund të lejojë praninë e PYD-së, një “degë” e PKK-së, siç e quajti kohët e fundit zëdhënësi i Erdoganit përgjatë kufirit të saj jugor.
Shtetet e Bashkuara e kanë pasur të vështirë ta bindin Turqinë se mbështetja e saj për PYD-in dhe SDF-në ishte, sipas fjalëve të zyrtarëve amerikanë, vetëm transaksionalë dhe e bazuar vetëm në dobinë e tyre në luftë ndaj “Shtetit Islamik”, pjesërisht për shkak të lidhjeve të forta personale ndërmjet forcave amerikane në terren dhe luftëtarët kurdë, të cilët kanë qenë shumë të efektshëm kundër luftëtarëve të ISIS-it, përcjell “Zëri”.
Një seri gabimesh nga amerikanët në çdo nivel i ka përkeqësuar gjërat më tej, duke përfshirë edhe ish-zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden, që u premtoi publikisht turqve se PYD-i do të tërhiqej në gjithë territoret buzë lumit Eufrat, premtimin e presidentit Donald Trump ndaj Erdoganit, për të ndaluar menjëherë dërgesat e armëve për kurdët dhe njoftimin e Pentagonit këtë muaj se do t’i trajnonte trupat e SDF-së si një forcë kufitare në kufirin turk.
Në këtë mënyrë Uashingtoni i ka hapur vetes shumë telashe. Ai bëri me dije se nuk ka lidhje me një forcë tjetër të PYD-it në enklavën e izoluar të Afrinit, në Sirinë veriperëndimore përgjatë kufirit turk. Forcat turke e kanë sulmuar tashmë atë enklavë, dhe Shtetet e Bashkuara kanë apeluar formalisht për vetëpërmbajtje, por nuk i kanë ndalur operacionet.
Çështja kryesore është se si do të përshtaten interesat afatgjata amerikane në Turqi, me partneritetin shumë të suksesshëm të Uashingtonit, betejën 3-vjeçare me PYD-in kundër “Shtetit Islamik”? Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet të përtërijnë aleancën jetike me Ankaranë dhe premtimin e saj të ri publik për të ruajtur partneritetin me PYD-in (duke përfshirë dërgimin e rreth 2.000 këshilltarëve ushtarakë të SHBA-së) për të paktën dy vjetët e ardhshme.
Një rrugë e ndërlikuar, por thelbësore
Përpara shtrihet një rrugë e ndërlikuar, por thelbësore për t’i pajtuar interesat amerikane me aleatët e tyre turq dhe kurdët sirianë. Hapi i parë është inkurajimi i PYD-it për të distancuar më tej veten nga PKK-ja, duke i kujtuar privatisht Turqisë se PYD-i i është përmbajtur kryesisht angazhimit të saj të vitit 2012 për të mos ofruar mbështetje materiale për PKK-në brenda Turqisë.
Hapi i dytë duhet të jetë krijimi i kanaleve të drejtpërdrejta për diskutimet e rifilluara midis PYD-it dhe Turqisë dhe midis PYD-it dhe asaj që mbetet nga opozita e moderuar siriane arabe, të cilën Turqia e mbështet ende, transmeton “Zeri.info”. Nëpërmjet kontakteve tona jozyrtare gjatë muajve të fundit me të gjitha palët duket se të gjithë mund të jenë hapur ndaj këtij opsioni.
Pas vërejtjeve të Tilerson, ish-zëdhënësi evropian i PYD-it, Navaf Khalil, shkoi aq larg sa ta mirëpriste publikisht këtë deklaratë si një angazhim “të balancuar” të SHBA-së ndaj të gjithë aleatëve të saj brenda dhe rrotull Sirisë.
Të gjitha palët kanë një interes të madh në kundërshtimin e Asadit dhe Iranit për të shmangur konfliktet e armatosura me njëri-tjetrin dhe për të ruajtur sigurinë e tyre dypalëshe, si dhe marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin.
Hapi i tretë është më i ashpër, por urgjentisht i nevojshëm. Kjo do të thotë të sigurojmë Turqinë, madje edhe më qartë sesa Tillerson, se Shtetet e Bashkuara do të kundërshtojnë në mënyrë aktive çdo ndarje apo zgjerim territorial në Siri dhe çdo përpjekje të ardhshme nga PYD-i për të bashkëpunuar me PKK-në brenda Turqisë.
Në këmbim SHBA-ja duhet t’i sigurojë besnikëri miqve të tyre kurdë në Siri, se Uashingtoni do të bashkëpunojë me Turqinë për të parandaluar inkursionet turke apo operacionet e tjera ushtarake në enklavat ekzistuese të kontrolluara nga PYD-i në Sirinë Lindore. Prania e vazhdueshme ushtarake e SHBA-së në ato enklava do ta bënte më të besueshëm këtë angazhim.
Në një periudhë më afatgjatë mund të jetë i mundur krijimi i një koalicioni pozitiv joformal mes këtyre palëve rajonale aktualisht armiqësore, që do të konsolidonte kampin proamerikan, antiiranian dhe anti-Asad përtej cepit verilindor të Sirisë. “Foreign Policy”. /ZËRI/


