Nga muaji prill deri më tani Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, (AGK), ka pranuar rreth 20 ankesa të gazetarëve të cilët janë kërcënuar dhe shantazhuar në mënyra të ndryshme.
Ky numër vazhdon të jetë në rritje, dita-ditës dhe është mjaft shqetësues për të gjithë gazetarët që punojnë në media e po ashtu edhe për gjithë institucionet.
Kështu u tha në një tryezë me temë ‘Mediat dhe Siguria e gazetarëve në Kosovë’.
Në këtë tryeze po ashtu u diskutua edhe për Kodin Penal, ku u tha se ky kod nuk është i mjaftueshëm për mënyrën se si mbrohen gazetarët.
Sipas Zekirja Shabanit, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovë, numri i kërcënime të gazetarëve është shqetësues si për gazetarët ashtu edhe për Asociacionin.
Kurse, Bajram Rexhepi, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme, tha se kohëve të fundit kërcënimet janë shtuar madje ka raste edhe kur këto kërcënime vijnë nga rrjete sociale.
Rexhepi, po ashtu nuk la pa përmendur edhe rastet e fundit të gazetarëve të cilët janë kërcënuar si Visar Duriqin, Artan Haraqijajn, Mefail Bajqinovci dhe të tjerë.
Sami Kurteshi, avokati i popullit, u shpreh se është shumë i shqetësuar me gjendjen e medieve në vend, madje sipas tij, gazetarët kanë të drejtat e tyre dhe se këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutë.
Ai tha se kërcënimet ndaj gazetarëve janë fizike dhe verbale.
Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se vitin e fundit nuk ka pasur asnjë përmirësim sa i përket terrenit të medieve, madje u shpreh se gazetarët nuk mbrohen nga Kodi Penal njëjtë siç mbrohen qytetarët e Kosovës.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha se kanë bashkëpunim të mirë me gazetarët, në mënyrë që t’i parandalojnë këto kërcënime., madje u shpreh se këtë e kanë bërë që të jenë sa më afër me gazetarët kur këta të fundit kërkojnë.
Kelani tha se, një ndër detyrat kryesore të Policisë së Kosovës është ruajtja e rendit të sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve ku sipas tij këtu hyjnë edhe gazetarët.



