Lille ngeci në barazim pa gola në transfertën e vështirë ndaj Monacos, por ky hap fals nuk u shfrytëzua dot nga Paris Saint Germain për t’u ngjitur në krye.
Kryeqytetasit u befasuan në shtëpi nga Nantes, që ia doli të triumfojë 1-2 me përmbysje dhe të largohet me 3 pikë mjaft të vlefshme nga “Parc des Princes”.
PSG-ja shënoi golin e avantazhit në fundin e pjesës së parë me anë të fantazistit gjerman Julian Draxler, por në pjesën e dytë Nantes përmbysi gjithçka me golat e Kolo dhe Simon, duke marrë tre pikë që ia rritin më shumë shanset për mbijetesë.
Nga ana tjetër PSG-ja mbetet në kuotën e 60 pikëve, por tani me tre pikë më pak se Lille që kryeson renditjen dhe me të njëjtën sasi pikësh sa Lyoni që pozicionohet i treti.


