Shoqata e të zhdukurve i reagon Thaçit: Asnjë zyrtar serb nuk u përkulë para varreve të shqiptarëve të vrarë

PUBLIKUAR

Shoqata e të Zhdukurve “Përkorë” në Podujevë ka reaguar për homazhet e Hashim Thaçit që i ka bërë para lapidarëve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i kësaj shoqate, Latif Mehmeti, ka thënë se Thaçi duhet ta dijë se me vizita dhe përkulje para lapidarëve të serbëve të  vrarë, Serbia kurrë nuk do të lejoje zbardhjen e fatit të  personave të zhdukur.

Latifi ka shtuar se Serbia dhe zyrtarët e saj shtetëror, asnjëherë nuk i përmendën krimet e kryera nga aparati i tyre shtetëror.

“Asnjë zyrtar serb nuk u përkulë para varreve të shqiptarëve të vrarë. As nuk pranuan përgjegjësinë”.

Ky është reagimi i plotë i kësaj shoqate: 

Me vizitat dhe  përkuljet e Presidentit të vendit para lapidarëve të vrarëve serbë nuk zgjidhet çështja e të  zhdukurve.

Kohëve të fundit Presidenti i  Republikës së  Kosovës, i shoqëruar nga  zyrtarë të lartë shtetërorë, po bëjnë homazhe dhe po përkulen para lapidarëve të serbëve të vrarë gjatë luftës së fundit në disa vendet të Kosovës.

Dhe tërë ky turne i homazheve presidenciale nëpër pllaka e lapidarë të serbë të vrarë, madje edhe në rrethana të pasqaruara siç është ai i rastit “Panada” në Pejë, me të drejtë ka zgjuar edhe reagime të qytetarëve e veçmas të familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës.

Krahas vizitave e përkuljes pranë lapidarëve të serbëve të vrarë, presidenti shfrytëzon rastin edhe të përmend pajtimin në mes serbëve dhe shqiptarëve. Dhe këtë pajtim synon ta fillojë mbi kurrizin dhe fatkeqësinë e kategorisë së qytetarët që pësuan më së shumti në luftë, e këto janë  familjet e të zhdukurve.

Pa dashur të nënçmoj edhe vuajtjet e dhimbjen e familjeve të serbëve të zhdukur, opinionit duhet t’i bëhet me dije se janë pikërisht serbët dhe aparati i tyre shtetëror i Serbisë i instaluar në veriun e shtetit, president i të cilit është Thaçi, që edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës nuk po lejojnë  hapjen e varrezave të dyshuara  në Mitrovicë. Zvarritet me vite hapja e varrezave masive nëpër Serbi. Pra janë serbët ata që pengojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Presidenti duhet ta dijë se me vizita dhe përkulje para lapidarëve të serbëve të  vrarë, Serbia kurrë nuk do të lejoje zbardhjen e fatit të  personave të zhdukur. Me këtë veprim, duke u përkulur para pllakave ku UÇK-ja cilësohet si organizata terroriste, Presidenti sikur po pranon mbi supe fajësinë për viktimat serbe. Skandaloze.  Mund edhe ta kuptojmë presionin ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës, por nuk mund të kuptohet e as arsyetohen veprimet e udhëheqësve tanë shtetëror, të cilat mbyllin sytë përballë krimeve serbe.

E harruan gjenocidin mbi popullatën e tyre. Vrasjet, kidnapimet, dhunimet, të  zhdukurit (ende nuk është zbardhur fati 99 fëmijëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës). Serbia dhe zyrtarët e saj shtetëror, asnjëherë nuk i përmendën krimet e kryera nga aparati i tyre shtetëror. Asnjë zyrtar serb nuk u përkulë para varreve të shqiptarëve të vrarë. As nuk pranuan përgjegjësinë.

Prandaj, para se të vazhdoni karvanin përkujtimor dhe të përkuljeve tek lapidarët me mbishkrimet ku cilësohet UÇK-ja terroriste, bëjeni një pauzë. Dhe meqë ju nuk mund të bëni asgjë përveç homazheve, të paktën insistoni në presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë për zbardhen e fatit të personave të zhdukur.

Bëjeni këtë udhëheqës të këtij vendi, para se familjarët e të pagjeturve një ditë të vijnë dhe të hedhin lule e të bëjnë homazh para institucioneve që ju drejtoni.

Latif Mehmeti, kryetar i Shoqatës së të Zhdukurve “Përkorë” Podujevë

 

SHIKO MË SHUMË

Kurti njofton për hapjen e thirrjes për bursat e mobilitetit, studentët mund të përfitojnë varësisht nga distanca në kilometra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka...

Gjini, Kurtit: Nga shkon Lumezi, vjen Elezi, erdhi Bylmezi

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, gjatë një takimi me qytetarë në Prizren, ka kritikuar...

Kurti nga Tirana: Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat në BE, tani është urgjente

Dy ditë pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, sot kryeministri I Kosovës Albin Kurti...