Lipjan, 23 qershor – Komuna e Lipjanit ka marrë një mbështetje ndërkombëtare rreth synimit të ndërtimit të një shkolle të re në Rubovc, në të cilën do të mësonin pa asnjë barrierë nxënësit shqiptarë dhe ata serbë.
Në të vërtetë, prej pas luftës në shkollën e këtij fshati mësojnë bashkë nën një kulm nxënësit nga të dyja komunitetet, por që ata janë të ndarë fizikisht, ndërkohë që kjo ndarje fizike tashmë po shihet si e panevojshme 15 pas luftës. Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se angazhimi i tij personal dhe i miqve ndërkombëtarë po shkon drejt një përpjekjeje për të gjetur mirëkuptim mes personelit arsimor të dy komuniteteve që të mësojnë në të njëjtin objekt pa ndarje fizike.
Kreu komunal e ka konfirmuar, ndërkaq, se këtë ide e kanë pëlqyer dhe i kanë dhënë mbështetje edhe ndërkombëtarët, përkatësisht Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Shkolla fillore në Rubovc të Lipjanit, në të vërtetë është e vetmja shkollë në këtë komunë, mbase edhe në vend, ku në të njëjtin objekt mësojnë serbët dhe shqiptarët. Por më gjithë faktin se mësojnë në të njëjtin objekt, shkolla mban dy emra të ndryshëm “Drita” dhe “Braqa Aksiq”. Dhe, pikërisht mësimi në të njëjtin kulm, por me mure të ndara kishte ofruar shpresën që prej pas luftës se nxënësit e Rubovcit, si shqiptarët ashtu edhe serbët, do ta përfitonin një objekt të ri. KOHA,net