Ata thonë se presidenti duhet të zbatojë një ligj, që parasheh sanksione për shtetet të cilat bëjnë biznes me ushtrinë e Rusisë.

Senatorët republikanë, Rick Scott dhe Todd Young, paraqitën një rezolutë që bën thirrje për sanksione, pasi Ankaraja, javën e kaluar, filloi pranimin e një sistemi të avancuar të mbrojtjes raketore të Rusisë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se e ka larguar Turqinë nga programi i furnizimit me aeroplan ushtarak amerikan F-35.

Por, nje senator tjetër nga kampi demokrat, Bob Menendez, tha se kjo masë ndaj Turqisë nuk është e mjaftueshme.

“Ligji në mënyrë të qartë parashikon sanksione për “transaksione të rëndësishme” me sektorët e mbrojtjes dhe inteligjencës së Federatës Ruse”, tha ai në një deklaratë me email, raporton Reuters.

Më herët presidenti Trump bëri të ditur se tash për tash SHBA-ja nuk është duke shikuar në drejtim të sanksioneve ndaj Turqisë, megjithatë nuk e përjashtoi mundësinë për një gjë të tillë.

SHBA-ja e ka kundërshtuar blerjen e sistemit rus nga ana e Turqisë pasi, siç ka thënë, ai rrezikon aeroplanët amerikanë.

Agjencia Reuters raporton se rezoluta e senatorëve bën thirrje që administrata Trump të thërrasë bisedimet në NATO për të diskutuar kërcënimet e paraqitura nga Rusia, dhe për të shqyrtuar përfshirjen e Turqisë në NATO./rel/