Kryetari i LVV-së në Lipjan, Selatin Retkoceri në një shkrim adresuar LipjaniNews ka folur për fillimin i vitit shkollor 1990/91, ku sipas tij gjeti para një sfide të jashtëzakonshme kur u perzumë forcërisht nga objektet shkollore dhe sistemi i pagesës.
“Vështirsitë ishin të mëdha por mobilizimi dhe angazhimi i të gjithëve bëri të sigurohen objektet dhe inventari shkollor për 5000 nxëns të nivelit fillor dhe të mesëm të cilët kishin mbetur jashtë bankave dhe objekteve të tyre shkollore. Nga objektet e tyre shkollore ishin dëbuar nxënsit e shkollës së mesme “Ulpiana”, nxënsit e shkollës fillore “Vëllezrit Frashëri”, të Lipjanit ata të shkoliës fillore “Shtjefën Gjeqovi” në Janjevë etj”, tha Retkoceri.
Sipas Retkocerit,”Deri kah fundi i vitit 1993 apo edhe fundi i kësaj përbërje të këshillit u kalua në pagesë prej 40 DM për secilin të punësuar, kjo shumë e pagesës filloi të shkaktoj probleme në grumbullim dhe filloi stagnimi i pagesës mujore nga pagesa për çdo muaj që bëhej deri sa ndaheshin nga 20 DM, tani ajo tempo nuk mbahej dot dhe erdhën në gjendje që të ngelen 4 muaj mbrapa me pagesën e kësaj shume prej 40 DM e cila shumë u paguante në të gjitha komunat e Kosovës. Duke qenë në një gjendje të pamundësisë për të gjetur shtegun e daljes nga situata, filloi dëshprimi i anëtarëve dhe në këtë mënyrë ra dukshëm përqindja e realizimit të mjeteve të duhura”, transmeton LipjaniNews.com
Lexojeni të plotë raportin e Kryetarit të Lëvizës Vetëvendosje në Lipjan…
Autori i tekstit: Selatin Retkoceri ish kryetar i KKF-së
HISTORIKU, SFIDAT, RREZIQET E THEMELIMIT DHE FUNKCIONIMIT TË KËSHILLIT KOMUNAL PËR FINANCIM – LIPJAN
Themelimi i Këshillit Komunal për finacim
(Këshilli për vetëfinancim të arsimit).
Shkolla shqipe ishte caku kryesor i sulmeve të Serbisë dhe ish Jugosllavisë, Millosheviqi me struktuart e veta kriminale kishin filluar një spastrim në formë brutale të mësuesve, arsimtarëve, profesorëve të nivelit parauniverzitar dhe univerzitar. Masat ndëshkuese dhe represioni ishte i paparë dhe i paimagjinueshëm. Menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, kishte filluar fushatë e ashpër diferencuese dhe linquese ndaj të gjithë atyre të cilët perkrahën dhe morrën pjesë në këto demonstrata. Kuptohet se studentët, mësimdhënsit dhe intelektualët ishin caku kryesor ku ishin orjentu sulmet e Serbisë kunder popullatës dhe zhbërjes së autonomisë që kishte fituar ish Krahina e Kosovës me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974. Serbia ishte shumë aktive dhe përdorte të gjitha udhëheqësitë komuniste të Republikave dhe krahinës së Vojvodinës për të zhbërë gjithë çka që ishte siguruar me kushtetuten e krahinave autonome.
Vitet 1981 deri 1989 ishin vite të përpjekjeve popullore për të mbrojtur sadopak ate që garantonte ajo kushtetutë krahine që megjithate nuk ishte se duhej të krenohej dikush me te, por edhe ajo pak autonomi dëshirohej të merrej, ashtu edhe ndodhi, viti 1989 ishte vit i suprimimit të autonomisë, një akt vetëndëshkues nga “përfaqsuesit e popullit” të cilët u deklaruan se Kosova nuk po humbte asgjë me suprimimin e autonomisë dhe kështu me ngritje dore me pak kundershtime aprovuan suprimimin e asaj pak autonomie që kishte siguruar kushtetuta e vitit 1974, tani ajo humbi, filloi ndëshkimi masovik i popullatës deri në luftën e përgjakshme 1998/99. Shkolla ishte sulmi i parë, përgatitur nga suita vrastare e Millosheviqit, ai nuk e zgjodhi rastësisht sulmin e parë ndaj shkollës shqipe, ai kishte zbatu me perpikëri programin dhe planin e akdemisë serbe dhe planin e shfarosjes kolektive të shqiptarëve, diçka e paraparë dhe planifiku nga Qubriloviqi dhe Ivo Andriqi.
Fillimi i vitit shkollor 1990/91, na gjeti para një sfide të jashtëzakonshme kur u perzumë forcërisht nga objektet shkollore dhe sistemi i pagesës. Rezistenca për mos ti lëshu objektet shkollore ishte e kotë, u detyruam të dalim nga objektet e shkollës së mesme dhe shkollës fillore të Lipjanit. Për një kohë të shkurtër sikur humbëm para një denimi kaq të rëndë që morëm nga pushtuesi, sikur u gjendëm në një gjendje të pashpresë, pa rrugëdalje nga situata e krijuar. Nxënsit u dëbuan së bashku me arsimtarët, derisa nxënsit rrinin në shtëpitë e tyre, arsimtarët dhe udhëheqja e tyre takoheshin dhe bisedonin për të organizuar sistemin arsimor dhe shkollor. Brenda një kohe të shkurtër rifilloi mësimi në shkollat paralele diku në shtëpi private e diku në shkollat fillore të fshatrave të cilat për fat vazhduan të punonin në objektet e tyre edhe përkunder ndaljes së financimit. Kështu u organizua procesi mësimor i shkollës së mesme dhe asajë fillore të qytetit të Lipjanit, duke u perfshirë të gjithë nxënësit në vazhdimin e mësimit, gjithënjë duke menduar se shpejtë do të ktheheshim në objektet shkollore të uzorpuara nga okupatori. Kaluan plot nëntë vite deri sa edhe u zhvillua lufta e UÇK-së me forcat paramilitare dhe militere serbe dhe ne nuk u kthyem në objektet tona shkollore.
Mobilizimi për të rihapur shkollat e mbyllura
Viti 1990 për arsimin dhe arsimtarët Shqiptar ishte i rëndë dhe i paparë deri atëherë. Të rrallë ishin ata që mund të besonin se qindra e mijëra nxënës, student dhe mësimdhënës të të gjitha niveleve të shkollimit do të dëboheshin me dhunë nga shkollat e tyre të cilat me mund dhe djersë i kishin ndërtuar prindërit e tyre. Ndodhi kjo për shkakun se nxënsit, arsimtarët, studentët dhe profesorët nuk pranonin planprogramet e mësimit sipas direktivave të ministrisë së arsimit të Serbisë. U dëbuan nxënsit dhe mësimdhënsit nga shkollat e tyre vetëm e vetëm se ishin Shqipëtar dhe për asgjë tjetër. Diskriminimi racor kishte filluar shumë më herët, por tani po merrte një formë dhe trajtë krejt tjetër. Ndodhi diçka që pak kush e priti u largun nxënsit dhe arsimtarët me dhunë nga objektet e tyre shkollore, u ndërpre financimi i tyre dhe filloi ndjekja me motive politike.
Mendohej se së shpejti do të ktheheshim në objektet shkollore, kjo sa kalonte koha dukej se do të ishte e pamundur që të ktheheshim aty nga ku u dëbuam me dhunë. Duke parë se po kalonte koha dhe nxënsit dhe studentët po humbnin mësimin u fillua të mendohet për organizimin paralel të shkollimit. Kjo punë sa ishte e vështirë aq edhe e mundimshme. Tani kishim nevojë për objekte shkollore të cilat na ishin uzorpuar, inventar shkollor të cilin na kishin bllokuar nëpër shkolla të cilat ishin të mbushura diku diku me refugjat serbë të sjellur nga Bosna dhe Kroacia. Tani shkolla e mesme Ulpiana dhe shkolla fillore Vëllezërit Frashëri ishin shëndrruar në objekte banimi të atyre të cilëve ju përgaditej të kolonizonin Kosovën.
Kjo bëri që të filloj organizimi i shpejtë i shqiptarëve dhe të krijojnë sistemin parallel të shkollimit duke improvizuar shtëpi shkolla dhe disa objekte tjera të cilat i lironin qytetarët vullnetarisht vetëm e vetëm që mos të mbyllet shkolla shqipe. Vështirsitë ishin të mëdha por mobilizimi dhe angazhimi i të gjithëve bëri të sigurohen objektet dhe inventari shkollor për 5000 nxëns të nivelit fillor dhe të mesëm të cilët kishin mbetur jashtë bankave dhe objekteve të tyre shkollore. Nga objektet e tyre shkollore ishin dëbuar nxënsit e shkollës së mesme “Ulpiana”, nxënsit e shkollës fillore “Vëllezrit Frashëri”, të Lipjanit ata të shkoliës fillore “Shtjefën Gjeqovi” në Janjevë etj. Këto punë organizative i takuan Këshillit Komunal për Arsim, por edhe të gjithë neve të cilët në atë kohë ishim të angazhuar në arsim por edhe në veprimin politik të asaj kohe.
Fillimisht ishte një deklarim i fuqishëm se do të punohej pa asnjë lloj kompenzimi financiar nga shumica e arsimtarëve, por me kalimin e kohës u pa se ky deklarim ishte më tepër i motivuar nga rasti se sa i bazuar në mundësitë reale të mësimdhënsve të cilët shumë shpejt filluan të mos mund ta bartnin barrën e punës së vazhdueshme pa ndonjë mbështetje financiare e cila mund të vinte nga populli, apo së paku nga ata të cilët kishin ndonjë veprimtari që ju sillte të hyra. Deklarimi i punës pa kompenzim ishte një dëshirë e mirë por jo edhe e qëndrueshme. Kjo deri diku edhe ishte pritur, se me zgjatjen e dëbimit dhe përjashtimit nga financimi, do të ishte shumë e vështirë që të mbahej personeli pa ndonjë formë pagese. Së paku duhej menduar që të sigurohej transporti i punëtorve arsimor por edhe aty këtu ndonjë pagesë modeste për ata të cilët ishin më të rrezikuar dhe nuk kishin asnjë burim financimi.
Këshilli komunal për vetëfinancim
Duke u ballafaquar me situatën e re të arsimimit në shkolla të improvizuara- shtëpi/shkolla, lindën nevojat për inventar, mjete tjera pune për vazhdimësinë e mësimit por edhe për kompenzim të 830 punëtorëve arsimor që evidencoheshin në atë kohë.
Nëntori i vitit 1991 regjistron përpjekjet e para të vetëorganizimit për grumbullimin e mjeteve financiare. Ishte organizuar një takim në fshatin Jeta e Re, ku përveq kryesuesit-inicuesit z. Sahit Ibrahimit, ish inspektor komunal i arsimit në at kohë, merrnin pjesë edhe aktivist lokal dhe ata të nivelit qëndror ku do të veqonim:
- Adem Limani, z. Izjadin Gashi dhe Bajram Shatri, nga niveli qëndror si dhe nga ai lokal: Fehmi Ibrahimi, Ismajl Gashi, Selatin Retkoceri, Irfan Bikliqi, Muhamet Llugiqi, Ruzhdi Shabani, Mehdi Stublla, Sylejman Ibrahimi si dhe shumë aktivist të tjerë që vepronin në atë kohë.
Nga ky takim u vendos që të mbahej një mbledhje e subjekteve politike shqiptare të komunës si dhe aktivistëve tjerë lokal ku do të zgjedhej këshilli komunal për vetëfinancimin e arsimit. Mbledhja u mbajt në shkollën fillore “Migjeni” në Rufc ku u zgjodh kryetari dhe anëtarët e këshillit komunal për vetëfinancimin e arsimit, kryetar u zgjodh z. Sahit Ibrahimi. Këshilli i posagjedhur kishte për qëllim sigurimin e disa mjeteve financiare por edhe materiale për të ndihmuar ata që më së shumti kishin nevojë. Nuk mund të themi se këshilli i posaformuar kishte ndonjë program të qartë se si do të arrinte të krijonte fond të mjaftueshëm për të mbuluar qëllimin për atë që ishte formuar. Sido që të jetë pati përpjekje që duhet vlerësuar për kohën kur ai u formua.
Roli i Këshillit Koordinues i PP në formimin e KKF-së
Partitë politike të asajë kohe si : Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, UNIKOMB-i, Partia Fshatare e Kosovës dhe Partia Republikane, e përbënin: Këshillin Koordinues i partive politike, ku bartëse kryesore e këtij mekanizmi ishte LDK, e perfaqsuar nga dy anëtar: Ramë Buja dhe Ismajl Gashi, Afrim Bahtiri (PPK), Avdi Kelmendi (UNIKOMB), Sami Luma (PR) dhe Nehat Dodaj (PF). Ky këshill koordinues përveq që mori vendimin e themelimit të KKF-së, mori përsipër edhe caktimin e antarëve më profesional që kishin brenda partive të tyre që të dërgohen në Këshillin Komunal për finacim. KKF ka raportu për çdo muaj para Këshillit Koordinues të partive politike të cilin e ka udhëhequr deri në mesin e vitit 1995 i ndjeri Avdi Kelmendi ( UNIKOMB). Menjëherë pas vdekjes së z.Kelmendi KKPP është udhëhequr nga Afrim Bahtiri i cili ishte edhe kryetar i PPK, kjo udhëheqje prej gjysmës së dytë të vitit 1995 e deri në fillimin e luftës iu la kryetarit të Partisë Parlamentare të Kosovës, për të perfunduar në marsin e vitit 1998, kur veq po zhvillohej luftë e ashpër ndermjet UÇK-së dhe forcave serbe. Në marsin e vitit 2008 u formua Këshilli Komunal i Emergjencës i udhëhequr nga Sefer Tasholli, Fitim Selimi, Naim Ymeri, Afrim Bahtiri, Feti Krasniqi, Banush Gashi, Selatin Retkoceri dhe komplet Këshilli Komunal për Financim që i bashkohen Këshillit Komunal për Emergjencë.
Themelimi i Këshillit komunal për Financim
Përbërja e parë
Pa u bërë një vit pune e këshillit komunal për vetfinancim u vërejt se duhet avancuar mënyra e organizimit të financimit. Konkretisht në shkurt të vitit 1992 u vendos që të formohen Këshillat Komunal për Financim. Vendimi për formimin e KKF u mor në Qendër apo në KQFK, u perkrah nga Këshilli Koordinues i Partive Politike të Lipjanit. Në muajin shkurt të vitit 1992 në një mbledhje të KKPP, mbajtur në Banullë u formua Këshilli Komunal për Financim, tani me një përbërje krejtë tjetër dhe me koncept tjetër të financimit dhe grumbullimit të mjeteve të duhura për të paguar të gjithë punëtorët arsimor në formë të pagës. Këshilli Komunal përbëhej nga anëtar që vinin nga subjkektet politike, arsimore, sindikale dhe qytetare.
Kryetar i Këshillit u zgjodh: ing.i dipl. i tek. Adem Duriqi,
Adem Duriqi, u lind më: 20.02.1955 në Ribar të Madh, komuna e Lipjanit, fillimisht pas kryerjes së studimeve ka punuar si mësimdhënës në Shkollën e mesme në Lipjan, dhe ate prej vitit 1980 deri 1985. Vitin 1985 u punësua në fabrikën e letrës, fillimisht si praktikant për të kaluar së shpejti në vendin e ri të punës si udhëheqës i prodhimit dhe duke qëndruar në atë vend pune deri më: 09.10.1990. kur i largunan të gjithë nga puna. z. Adem Duriqi ishte udhëheqës i Sindikatës së pavarur të punëtorëve të fabrikës së letrës, përveq kësaj pune ai ndihmoi edhe në aktivitetin e ashtuquajtur Familja ndihmon familjen, duke ndikuar në ndihmën që ofronin të pasurit për ata të cilët kishin nevojë pët këtë ndihmë. Ishte edhe kryetar i trupës sindikale në nivel të komunës. Për afërsisht dy vite ishte kryetar i Këshillit Komunal për Financim, duke krijuar një bazë të mire për financimin e punëtorëve arsimor. Pas përfundimit të luftës ka kryer edhe disa punë në ndërmarrje publike, por edhe në sektorin privat, ku edhe vazhdon të punoj.
- Adem Duriqi – kryetar i KKF-së
Anëtar tjerë të KKF-së ishin:
- Xhavit Dakaj – nënkryetar,
- Rrahmon Olluri – anëtar,
- Ramiz Ajeti – sekretar/arkatar,
- Safet Krasniqi – anëtar,
- Mufail Tasholli – anëtar,
- Abdullah Krasniqi – anëtar,
- Sahit Ibrahimi – anëtar,
- Fehmi Ibrahimi – anëtar dhe
- Ahmet Bytyqi, anëtar.
Komisioni i kontrollit financiar:
- Selatin Retkoceri dhe
- Ismajl Rudari
Kjo përbërje e këshillit e ndihmuar nga subjektet politike arriti që të identifikoj dhuruesit potencial, të bëjë kategorizimin e obliguesve të cilët do të ndanin shuma mujore për të paguar për fondin nga i cili do të kompenzoheshin me një shumë lineare nga 10 DM të gjithë ata që punonin në shkolla përveq atyre që kishin refuzuar çdo lloj pagese. Ishte e shkurtër koha e pagesës me vetëm 10 DM, shumë shpejtë u kalua në pagesën prej 20 DM për secilin të punësuar. Deri kah fundi i vitit 1993 apo edhe fundi i kësaj përbërje të këshillit u kalua në pagesë prej 40 DM për secilin të punësuar, kjo shumë e pagesës filloi të shkaktoj probleme në grumbullim dhe filloi stagnimi i pagesës mujore nga pagesa për çdo muaj që bëhej deri sa ndaheshin nga 20 DM, tani ajo tempo nuk mbahej dot dhe erdhën në gjendje që të ngelen 4 muaj mbrapa me pagesën e kësaj shume prej 40 DM e cila shumë u paguante në të gjitha komunat e Kosovës. Duke qenë në një gjendje të pamundësisë për të gjetur shtegun e daljes nga situata, filloi dëshprimi i anëtarëve dhe në këtë mënyrë ra dukshëm përqindja e realizimit të mjeteve të duhura.
Kishte përpjekje të anëtarëve të KKF-së që të gjenin shtegun e daljes nga situate e krijuar, kërkonin ndihmën e subjekteve politike dhe arsimore, që të ndihmojnë këtë proqes i cili nuk bënte në asnjë mënyrë të ndalej. Nga pamundësia e gjetjes së rrugës deri te paratë e nevojshme, filluan akuzat e ndërsjella. Derisa KKF kritikonte Partite politike se ato nuk po ndihmonin sa duhet Këshillin, pasuan edhe kritikat e subjekteve politike dhe individëve-qytetarëve se përbërja aktuale e KKF-së nuk ishte në gjendje që të arrij më tepër se deri ku kishte arritur, u vlerësua se ky ishte maksimumi i një përbërjeje të tillë dhe duhej sa më pare të gjendej një formë dhe ndoshta një ekip krejt tjetër i cili do të sillte reforma dhe strategji të reja në arritjen e një objektivi madhor të vlerësuar për at kohë. Si rezultat i vlerësimit të mossuksesit të kësaj përbërjeje nga ana e KQFK por edhe të instancave Komunale, filloi puna drejt gjetjes së mënyrës së ndryshimit të përbërjes së Këshillit apo më mirë të themi të bëhen zgjedhje të reja në KKF.
Këshilli Qendror për Finacim nuk kishte kerkesë eksplicite për të ndërruar komplet përbërjen e KKF-së, ata kërkuan një lloj riformatimi dhe i kërkuan z.Adem Duriçi që të vazhdonte me udhëheqjen e KKF-së, z. Duriçi ishte këmbëngulës në qendrimin e tij që të japi dorëheqje nga udhëheqësi i këshillit meqë ai vet kishte vlerësuar se nuk po shkonte puna ashtu si do të duhej dhe ishte shumë i pakënaqur me një numër të bizneseve dhe biznesmenëve të cilët nuk po i pergjigjeshin në masë dhe vlerë të duhur, me një fjalë nuk po paguanin aq sa ju takonte për Këshillin dhe nevojat që duhej përmbushur.
Mandatimi për kryetar të KKF-së
Instancat Komunale paralele të asaj kohe, si Subjektet politike, Këshilli komunal i Arsimit, individët bënin shumë përpjekje për të gjetur një person i cili do të ishte në gjendje të merrte mbi supat e tij një organizim bukur serioz dhe të rëndësishëm, këtu kishim të bënim me një sprovë të vështirë dhe nuk ishte krejt e lehtë se kujt do ti besohej detyra e kryetarit të KKF, sidomos pas vështirësive që ishin paraqitur në sigurimin-grumbullimin e mjeteve financiare që duhej të merreshin nga qytetarët për 830 punëtorët që veq kishin mbetur 4 muaj pa marrë asnjë metelik nga mekanizmi që quhej KKF, dhe kishte marrë barren e grumbullimit të pagave për këta punëtor. Bëheshin takime të shpeshta, kishte propozime, përmendeshin emra të politikës por edhe të profesionit, kësaj radhe u pa e rrugës që të përzihen profesioni dhe politika së bashku, të gjendet dikush që posedonte shumë atribute, dhe erdhi deri tek propozimi i emrit për të cilin ende nuk dihej se a do të pranonte të merrte një përgjegjësi sa të rëndë aq edhe kombëtare si vlerësohej asaj kohe nga politika, gjegjësisht nga Ramë Buja, Avdi Kelmendi, Ismajl Gashi, Xhavit Dakaj, dhe të tjerë të cilët merreshin aktivisht me obligimin e gjetjes së personit më të mirë për këtë punë.
Forma e mandatarit deri më tani nuk ishte e lejuar për asnjë komunë, bëhej eksperimenti i parë me Lipjanin, për të parë se si do të funkciononte ky sisitem. Konkretisht më 24.12.1992. nga ekipi në përbërje: Ismajl Gashi, Ramë Buja dhe Avdi Kelmendi, të cilët kishin punuar me shumë njerz për të gjetur personin dhe formën e duhur të funkcionalizimit të KKF, i propozojnë kryetarit të KQKF, z. Mehmet Hajrizit që të mandatoj për kryetar të KKF-së së Lipjanit z. Selatin Retkocerin. Ashtu edhe u bë dhe iu dha e drejta e caktimit të përbërjes së KKF/ i pavarur nga organet komunale.
Kryetar i KKF u emrua: ecc.i dipl. Selatin Retkoceri.
- Retkoceri lindi më 05.05.1961, në fshatin Llugaxhi, ku edhe mbaroi shkollën fillore, shkollën e mesme ekonomike me sukses përfundoi në Lipjan, për të vazhduar studimet univerzitare në Fakultetin ekonomik të Prishtinës. Përfundoi me sukses dhe afat fakultetin ekonomik. Me të përfunduar studimet filloi të punoj në Qendrën e Arsimimit të mesëm si mësimdhënës në Shkollën ekonomike në Lipjan, për disa vite radhazi punoi në këtë shkollë nga ku edhe formoi Sindikatën e pavarur të punëtorve të arsimit në vitin 1990 duke u zgjedhur kryetar i saj i parë. Nga mësimi aktiv u largua në kohën kur u mandatua për kryetar të KKF-së. ishte pjasmarrës aktiv i të gjitha lëvizjeve që ndodhnin në Kosovë që nga viti 1981, me demonstratat e studentëve e deri te lëvizjet masive të punëtorëve në vitin 1989 dhe lëvizjeve dhe protestave sindikale të të gjitha viteve të okupimit serb. Disa herë ishte keqtrajtuar dhe u dërgua në intervsta dhe të ashtuqujtura biseda informative nga ana e sigurimit serb. Për padëgjueshmëri dhe mosbindje ndaj urdhërave të policisë disa herë u dërgua në stacionin policor dhe njëherë edhe u denua me një muaj burg.
Fillimi i luftës e zuri në pozitën e kryetarit të KKF dhe së bashku me të gjithë anëtarët e KKF-së u rreshtuan në favor të luftës dhe shumicën e mjeteve financiare të cilat arrinte ti grumbullonte Këshilli i dërgoheshin në formë malli por edhe në para zonës ushtarake të Pashtrikut dhe së voni edhe asaj të Nerodimës që përfshinin lokalitetet e banuara të komunës së Lipjanit dhe më gjërë. Gjatë karierës së tij ka kryer edhe shumë punë dhe aktivitete të cilat e kanë bërë që të jetë njëri prej aktivistëve më të suksesëshëm të kohës ku mund të dallonim këto punë konkrete: Formimi i sindikatës së pavarur të QAM-os, suksesi i dalluar në komisionin për ekonomi të LDK-së, ndihmën konkrete në grumbullimin e mjeteve financiare dhe materiale për ndihmë të të varfurve, udhëheqjen e komisionit për ndërtimin e shkollës së plotë fillore në Llugaxhi, organizimin e akcioneve punuese në infrastrukturën e fshatit të tij të lindjes, organizimin e protestave masive kundër okupimit serb në nivel sindikal, udhëheqjen 7 vjeqare të KKF-së, angazhimin në komisionin e emergjencës drejtuar ndihmës për luftën e UÇK-së, organizimin e pritjes së një numri të madh të dëbuarve nga shtëpitë e tyre e të cilët ishin strehuar në fshatrat Llugaxhi, Bujari, Pojata etj.
Këshilli komunal për financim -Përbërja e dytë
Mandatar i KKF-së:
- Selatin Retkoceri- kryetar i KKF-së
Anëtarët tjerë të KKF-së ishin:
- Isa BAHTIRI-nënkryetar, me profesion ishte prof. i gjuhës Shqiptare,
- Imri AHMETI-sekretar i këshillit, me profesion jurist i diplomuar,
- Hafir RASHITI-arkatar i KKF-së, profesioni ecc. i diplomuar,
- Sefer TASHOLLI– anëtar i Këshillit, me profesion ing. i dipl. i makinerisë.
- Mevlude SHAMOLLI-anëtare e këshillit, profesioni ecc. i dipl.
- Xhavit DAKAJ– anëtar, profesioni jurist i diplomuar,
- Naser SOPJANI-anëtar, profesioni biznesmen,
- Vehbi IMERI-kryetar i komisionit të kontrollit, me profesion ecc. i dipl.,
- Haki LAHU, anëtar i këshillit, profesioni agronom,
- Ruzhdi SHABANI, anëtar, profesioni bujk dhe afarist i suksesëshëm,
- Isak BERISHA– anëtar, afarist dhe biznesmen i dalluar,
- Sami LUMA, anëtr, punëtor arsimi.
- Në fillim vitin 1995 Isa Bahtiri për shkak të angazhimeve të tjera ishte larguar nga KKF dhe në vendin e tij ishte caktuar aktivisti i dalluar i Lipjanit z. Afrim IBRAHIMI.
Këshilli Komunal për Financim i kishte 12 anëtar plus kryetari, të cilët edhe pse ishin të emruar nga kryetari, secili nga 12 anëtarët kishte një bazë nga e cila vinte dhe secili prej tyre kishte detyra të caktuara dhe në një farë mënyre përfaqësonte një teren të caktuar dhe një shkollë ose më shumë për të cilën kishte obligimin e kontaktit, komunikimin dhe sigurimin e financimit të personelit arsimor të shkollës të cilën mbulonte. Formimi i këshillit të ri solli edhe mjaft risi në organizimin dhe shtimin e efikasitetit të grumbullimit të mjeteve. Këshilli i ri me të marrë detyrën bëri një riorganizim duke themeluar 51 nënkëshilla, të cilat udhëheqeshin nga kryetarët e tyre. Nënkëshillat e KKF-së ishin: Gadimja e naltë (Vrella dhe Plitkoviqi), Gadimja e Ulët (Gllavica dhe Marevci), Babushi i Muhaxherëve, Llugaxhia, Kojska, Rubovci i Madh dhe Rubovci i Vogël, Gomnasella, Banulla, Gllogovci, Qallapeku, Smallusha, Sllovia, Akllapi, Janjeva, Brusi, Teqja, Lipjani, Konjuhi, Suhadolli, Hallaqi i Madh, Hallaqi i Vogël, Jeta e Re, Gracka e Vogël, Toliqani, Bujani, Bregu i Zi, Varigovci, Ribari i Madh dhe Zllakuqani, Kroishta, Torina dhe Poturovci, Rufci i Vjeter, Rufci i Ri, Ribari i Vogël, Qylaga, Vërshevci, Magurja, Leletiqi, Vrella, Medveci, Mirena, Baica, Rusinovci, Shala, Krojmiri, Dobraja e Madhe, Dobraja e Vogël, Gllanica, Lluga, Kleqka dhe Divjaka, të gjitha këto nënkëshilla janë udhëhequr nga kryetarët e këshillave dhe shumë prej tyre kanë pasur edhe inkasant të cilët edhe kanë marrë një pagë bazuar në realizim. Në një shkrim tjetër do ti zbardhim edhe të gjithë kryetarët e nënkëshillave dhe inkasantët që kanë punu për këshillin e finacimit. Puna me këto nënkëshilla bëhej nga ana e kryetarëve të nënkëshillave, inkasimin e bënin arkatarët por shumë herë edhe të gjithë anëtarët e nënkëshillit. Kontaktet me nënkëshillat bëheshin për çdo dy javë, dhe ate gjysma e nënkëshillave takoheshin në fshatin Banullë, dhe gjysma tjetër në fshatin Poturovc. Ky veprim bëhej për të mos ngarkuar kryetarët e nënkëshillave për të udhëtuar shumë larg nga lokaliteti ku jetonin. Të dy këto mbledhje në termine jo të njejta i udhëhiqte kryetari i këshillit me pjesmarrjen aktive të kryesisë së këshillit komunal. Në mbledhjet e organizuara raportohej për vështirsitë, shkallën e realizimit, ngecjet, problemet me policinë, metodat e arritjes së suksesit dhe shumë punë të tjera praktike që dilnin nga puna në teren. Këshilli komunal bëri mjaft reforma por gjithnjë ishte bazuar dhe respektonte vendimet e Këshillit Qendror për Financim. Këshilli arriti shumë shpejt të ketë një pasqyrë të burimeve të mundshme të cilat do të mund të tatimoheshin dhe aplikoi vendimet për secilën kategori, duke përfshirë këtu ekonomitë familjare dhe personat juridik-ndërmarrjet private të cilat në atë kohë ishin në numër mjaft të vogël. Forma e ngarkesës, forma e vendimit ishte e përcaktuar nga KQFK, dhe të njejtat u përdornin në tërë territorin e Kosovës.Secili nga anëtarët e këshillit ka pasur përgjegjësinë dhe terenin e ndarë varësisht nga tereni i cili vinte dhe ishte ma afër vendbanimit të tij. Po radhisim sipas funkcionit:
- Selatin Retkoceri………….. (Shkolla “Hasan Prishtina” Llugaxhi)
- Afrim Ibrahimi…………….. ( shkolla “Vellezrit Frashëri” Lipjan)
- Imri AHMETI……………… ( “Hivzi Sylejmani” Dobrajë e Madhe)
- Hafir RASHITI……………. ( “Emin Duraku” Banullë/Gllogovc)
- Sefer TASHOLLI…………..(“Zenel Hajdini” dhe “Ernest Koliqi” Gadime/Babush)
- Mevlude SHAMOLLI…… (Shkolla fillore Shalë)
- Xhavit DAKAJ……………… ( shkolla fillore Topliqan)
- Naser SOPJANI……………. (“Hasan Zuko Kamberi” Sllovi)
- Vehbi IMERI………………… (“Migjeni” Rufci i Ri)
- Haki LAHU…………………… (“Jeronim De Rada” Magurë)
- Ruzhdi SHABANI…………. (antëar i lirë nga pergjegjësia për shkollat)
- Isak BERISHA………………. ( “Shtjefën Gjeqovi” Janjevë)
- Sami LUMA, (“Kadri Beba” dhe“Skenderbeu” Kroishtë)
Për inkasim të obligimeve që dilnin nga vendimet e KKF, dërguar çdo paguesi potencial ishin caktuar arkatarët-inkasantët të cilët kishin obligimin që në terenin e caktuar të grumbullonin mjetet financiare për të cilat qytetarët kishin pranuar ti përgjigjeshin këtij obligimi. Secili nga inkasantët ishte i ngarkuar me paragon bllok me nr. serik i cili shtypej në KQFK, dhe i njejti ngarkonte KKF, duke shpërndar këto dëftesa tek inkasantët të cilët saktë është ditur se me cilët bllok dëftesa janë ngarkuar dhe pasi që të jenë përfunduar të njejtitit së bashku me mjetet e grumbulluara janë kthyer në KKF, ku kryetari i Komisionit të kontrollit ka pasur obligimin që ta barazoj shumën e dorzuar me bllokun e kthyer. Kjo ka qenë një punë rutinore dhe me këtë proqes ka shkuar si është më së miri. Në këtë mënyrë ka qenë e pamundur ndonjë formë e keqpërdorimit eventual të mjeteve që ka mundur të bëhet nga ndonjëri prej inkasantëve.
Deri sa përbërja e kaluar e KKF-së nuk kishte ndonjë seli të caktuar , përpos zyrave provizore në selinë e ndërmarrjes private “LINDI-COMMERCE” me pronar Ramiz Ajetin, të cilin duhet falenderuar sidomos, djalin e tij tani të ndjerin Mirlind Ajeti, i cili në fatkeqësi komunikacioni humbi jetën së bashku me dy vajza të familjes, të gjithë në moshë të mitur. Ishte interesant guximi i fëmijës 12 vjeqar që sa herë që vërente se policia po futej në lokal merrte guximin që të gjitha paratë që ishin në arkën e KKF-së ti merrte në gjepin e tij dhe të largohej pa u vërejtur se kishte ndonjë element nga i cili mund të dyshohej për ta bastisur. Me këtë dëshirojmë të themi se edhe fëmija ishin të angazhuar për të ndihmuar këtë punë sa humane po aq edhe me rrezik shumë të madh për tu kapur nga organet policore Serbe, të cilët këtë punë e konsideronin shumë ilegale dhe duke punuar me valutë të huaj konkretisht me DM, kjo konsiderohej edhe si atak i rëndë në sistemin monetar të ish Jugosllavisë, për të cilin veprim ishin paraparë denime të rënda po të kapeshim duke punuar me deviza. Kishim një obligim të transferit të parave nga Prishtina deri në Lipjan, dhe kjo duhej të bëhej shpesh, kështu që mund të vinte shumë lehtë deri te konfiskimi i parave nga policët që kishin krijuar punktet në 2 apo tri udhëkryqe deri në Lipjan, për këtë qëllim ne duhej të kishim kujdesin e ruajtjes së parave dhe bënim veprime nga më të ndryshmet, në shumicën e rasteve paratë ishin në gjepat e vegjël të voglushit i cili thuajse aktivisht merrej me punë të KKF-së, dhe ate e bënte pa iu trembur asnjë cast as qerpiku i syrit. Kishte një guxim të pashoq dhe që meriton të ceket sidomos tani kur ai nuk jetoon më me ne fizikisht por kujtimi për te do të jetë përherë në zemrat tona, do ta kujtojmë dhe vlerësojmë gjithmon veprën e djaloshit tone.
Duke parë se ishte mjaft problem puna e KKF-së nëpër zyra ilegale, u detyruam të bënim një veprim të guximshëm, duke marrë një zyrë në Lipjan me një vlerë modeste të qerasë. Ishte akt i guximshëm qytetar të jepësh lokal me qera për subjektet komunale shqiptare por këtë e bëri z. Sherif Ibrahimi. Nuk vonoi shumë dhe filluan bredhjet e policisë serbe afër dhe për rreth lokalit ku këshilli punonte me orar të plotë pune. Kjo dhe kërcnimet e policisë ndaj pronarit bënë që të mendonim për ndonjë alternativë tjetër dhe u detyruam që nga kjo zyrë të kalonim në një zyrë tjetër tani pronë e Banush Duriqit i cili pranoi që edhe me kushtin e kërcnimit nga policia që KKF të vendoset në një objekt të tij të cilin më parë e kishte shfrytzuar si shitore të produkteve ushqimore. Kjo zyrë ishte në një lagje të Lipjanit e banuar kryesisht me Shqipëtar dhe kështu ndoshta nuk paraqiste ndonjë problem për policinë dhe sigurimin shtetror. Tani Këshilli kishte vendosur tërë aparaturën dhe inventarin, së bashku me kompjuterin ku evidentoheshin të gjitha shënimet e hyrjeve dhe daljeve financiare të KKF-së. KKF kishte arritur që nëpër mjet punëtorit –zyrtarit z.Murat Retkoceri, të fus të gjitha shënimet duke përfshirë këtu vendimet për secilin obligues dhe ate sipas kategorive, dhe të gjitha pagesat që bënin këta obligues evidentoheshin dhe në çdo moment dihej për obligimet, e secilit qytetar, secilit fshat dhe secilit nënkëshill, mund të fitonim në çdo moment raportin e pagesave të qytetarëve, pagesën e pagave të punëtorëve arsimor, realizimin nëpër fshatra, realizimin e secilës kategori të obliguesve dhe shumë raporte të tjera të cilat nevojiteshin për analiza periodike dhe raporte që duheshin për nevoja të brendshme dhe për nevojart e KQFK-së. Organizimi, puna në teren, kontakti me qytetar, objektiviteti në përcaktimin e obligimeve, transparenca, aplikimi i pagesës vetëm në valutë të fortë-DM, ndihma e subjekteve politike shqiptare që vepronin në at kohë, aplikimi i metodave të kombinuara të pagesës së obligimit, afatizimi i pagesës së obligimeve për ata të cilët veq kishin krijuar një borgj të theksuar ndaj këshillit, kushtëzime të ndryshme të pagesave, lavdatat për ata që paguanin, stimulimi i tereneve të cilat ishin më të mirë në pagesë etj.
Duke kaluar koha vërehej se kishte nevojë edhe për reforma, dhe ashtu u bë, nga forma lineare e pagesës që bëhej, pa marrë parasyshë terenet nga vinin mjetet dhe kush ishte më i suksesëshëm u detyruam të aplikonim një metodë jo edhe aq të pranueshme dhe të dëshirueshme, por ndoshta të domosdoshme për momentin ku ndodhej Këshilli. Kishim ardhë në një situatë ku nënkëshillat e njejtë si: Lipjani, Llugaxhia, Sllovia, Poturovci dhe Torina, Topliqani, punonin shkëlqyeshëm dhe arrinin shkallë të lartë të inkasimit deri sa disa nënkëshilla të cilat edhe kishin mundësi por edhe potencial filluan të sabotonin dhe nuk dëshironin të jepnin obligimet e tyre. Kështu u detyruam që të bëjmë një lokalizim edhe më të ngushtë dhe krijuam nënkëshillat duke u bazuar në shkollat tetëvjeqare të cilat gravitonin në ato lokalitete. Kjo nuk ishte diçka që ne na mburrte për një veprim të till por ishte domosdo për të ofruar problemin e financimit sa më afër qytetarëve dhe që ta ndienin edhe ata barrën e financimit të shkollave që i kishin afër vehtes dhe fëmijët e tyre ishin nxënës të atyre shkollave. Tani të gjithë anëtarët e KKF-së ishin caktuar që të mbikqyrnin dhe të punonin direkt me nënkëshillat dhe të ndihmonin arkatarët që të inkasonin sa më tëpër mjete për të financuar shkollën e tyre. Kjo metodë filloi të jap rezultate të mira dhe për një kohë të shkurtër KKF arriti të jetë njëri nga këshillat më të suksesëshëm të Kosovës. Me një punë vetëmohuese shumë shpejt u arrit që paga mujore e punëtorëve arsimor nga 50 DM të kaloj në 80 DM, pastaj në100 dhe së fundi në120dm, këto ngritje pagash ndodhnin mjaft shpesh dhe bazuar kohen kur jepeshin 120 DM të asaj kohe kishin një kundërvlerë sigurisht të përafërt me pagën që sot arsimtari e merr në €.
Tërë ky aktivitet nuk kaloi pa probleme, kishte nga më të ndryshmet. Anëtarët e këshillit u kërcnonin vazhdimisht nga policia, ishin të rrezikuar permanent të gjithë, edhe inkasantët edhe qytetarët edhe nënkëshillat të cilët jepnin dhe grumbullonin mjetet për ata kjo konsiderohej si punë ilegale plus grumbullimi me vendimin e KKF-së bëhej për të mos ardhur deri te manipulimet e mundshme gjatë këmbimit vetëm në DM dhe në valuta tjera të cilat nuk i gëlltitëte inflacioni siq ndodhte kjo me dinarin jugosllav.
Thirrje në polici dhe marrje në pyetje për veprimtarinë e KKF-së thuajse kishin pasur të gjithë anëtarët e KKF-së, kishim edhe marrje në pyetje të inkasantëve, dhe ndonjërit prej tyre edhe iu ishin marrë ndonjë mjet financiar, por shumat ishin të vogla gjë që nuk ka ndonjë arsye të shkruhen. Pse kishin pak mjete inkasantët në duartë e tyre ishte sukses i KKF-së që përdorte metoda të ndryshme duke pasur të drejtën e pranimit të mjeteve nga inkasantët secili nga antarët e KKF-së, të cilët më pastaj dorzonin në arkën qëndrore. Kjo edhe thjeshtonte punën edhe racionalizonte lëvizjet e inkasantëve dhe kështu zvoglonte dukshëm mundësinë e konfiskimit eventual të parave.
Çka e bëri të suksesëshëm këte përbërje të KKF-së:
- Profesionalizmi i kryetarit dhe anëtarëve tjerë të këshillit,
- Angazhimi në këshill i njerzve me autoritet dhe të dëshmuar,
- Aplikimi i vendimeve të ngarkesës,
- Përfshirja në obligimin e pagesës për të gjitha kategoritë e të hyrave familjare,
- Paisja me vendim për të gjithë obliguesit,
- Mbajtja e shënimeve të obliguesve mbi pagesën dhe borgjet në kompjutor,
- Takimet e shpeshta me qytetarët dhe transparenca e aplikuar,
- Mbledhjet e rregullta me nënkëshillat dhe arkatarët,
- Aplikimi i stimulimit për terrenet të cilat ishin më të suksesëshme në inkasim,
- Stimulimi i arkatarve në bazë të shkallës së inkasimit,
- Angazhimi i njerzëve me autoritet në nënkëshilla dhe arkatarëve,
- Pranimi i ndihmës nga ana e drejtorëve të shkollave,
- Bashkpunimi i ngushtë me shkollat dhe arsimterët,
- Afatizimi i kryerjes së obligimeve ndaj këshillit,
- Zbërthimi i punës së këshillit në nënkëshilla, duke aktivizuar anëtarët e KKF-së, për të ndihmuar drejtpërdrejt nënkëshillin prej nga vinte, dhe i cili ishte përgjegjës për shkollën dhe nënkëshillin e asaj shkolle.
- Afërsia dhe njohja paraprake e anëtarëve të këshillit ndërmjet veti,
- Caktimi shumë real i obligimeve ndaj këshillit,
- Puna publike e këshillit dhe zyrat në Lipjan ku mund të komunikohej me të gjithë.
- Bashkpunimi me të gjithë faktorët relevant të kohës etj.
Plani dhe realizimi i KKF-së nëpër vite ishte si vijon:
- Viti 1992, ishin planifikuar të grumbulloheshin: 95,000.00DM,
- Viti 1993,ishin planifikuar të grumbulloheshin:197,820.00DM,janë realizuar: 100,341.00 DM, Shkalla e realizimit të mjeteve 52%,
- Viti 1994, janë planifikuar 452,268.00DM, realizimi ishte 355,624.00DM, këtu shofim se planifikimi i vitit 1994 në krahasim me vitin 1993 gati është trefishuar gjë që ishte një hap i madh dhe i guximshëm, është interesant të ceket se realizimi në krahasim me vitin paraprak është rritur për 3 herë e gjysmë, shkalla e realizimit krahasim me planifikimin ishte rreth 80%.
- Viti 1995 plani 1,095,680.00 DM, realizimi 628,292.00 tani shofim se kemi filluar rënje në realizim meqë si duket plani ka tejkaluar mundësitë reale të forcës së popullësisë. Realizimi mbi 57%,
- Viti 1996, përseri shkohet në një planifikim mjaft të lartë prej: 1,149,900.00DM, vlerë kjo e cila arrihet të realizohet në 845,274.00DM, Shkalla e realizimit shprehur ishte 73.50%
- Viti 1997, plani ishte: 1,306,198.00 realizimi kishte arritur një shumë prej: 1,277,873.00DM, këtu kishte arritur kulmi i realizimit prej 97.80%,
- Viti 1998, ishin planifikuar për inkasim 1,370,370.00DM, janë realizuar 1,302,400.00DM, ishte arritur një rekord, vetëmohimi i të gjithëve bëri at që pak pritej. Ishte vazhduar tradita e suksesit dhe po përseritej edhe njëherë suksesi i vitit paraprak, tani me më shumë mjete të grumbulluara por me një përqindje pak më të vogël prej 95%, për shkak se edhe plani ishte më i lartë.
- Viti 1999 ishin planifikuar 1,316,380.00DM ndërsa ishin realizuar vetëm 264,625.00DM, kemi një realizim të ulët sepse këtu kishim vetëm dy muaj inkasim, nuk kishte kushte pune, për shkak të perhapjes së frontit të luftës dhe këtu përfunduam. Kur është fjala te lufta duhet të potencojmë se KKF u rreshtu i tëri në përkrahje të parezervë me mjete financiare por edhe me tërë potencialin njerzor që ishte në disponim të KKF-së, për të ofruar ndihmën e duhur logjistike dhe financiare për luftën, luftëtarët dhe popullsinë e cila ballafaqohej me vështirsi të shumta nga pasojat e luftës dhe ndjekjes që bënin hordhitë barbare të Serbisë. Ishte ndoshta rast unikat Këshilli Komunal për Financim i Lipjanit i cili orjentoi financat në favor të luftës duke lënë në plan të dytë arsimin dhe arsimtarët. Janë shumë fatura mjetesh në arhivën e KKF-së të cilat ishin shkruar dhe dorzuar në shtabet ushtarake të zonave të uashtrisë. Pra përveq Komisionit të emërgjencës në krye të të cilit ishte anëtari i KKF-së z. Sefer Tasholli, dhe z. Fitim Selimi i cili edhe ishte kryesues deri sa kaloi në radhët e UÇK-së, punë të palodhëshme duke ndihmuar luftën bënin edhe tërë përbërja e KKF-së, të cilët komplet pranuan angazhimin e tyre në Këshillin e Emergj
Puna ishte e vazhdueshme, lufta vazhdonte, këshilli punonte, grumbullonte para, tani me intenzitet shumë të vogël por këto para ishin shumë të nevojshme për të blerë miell, naftë, rroba , ushqim, këpucë për ushtarët e shumë e shumë gjëra të tjera. Kështu erdhi edhe deri te përfundimi triumfal i luftës, Anëtarët e KKF-së shumica ishin në Kosovë nuk kishin ikur sepse donin ta pritnin lirinë në token e tyre dhe kjo ditë erdhi me këtë erdhi edhe momenti për të dorzuar raportet e punës KQFK-së dhe instancave komunale së bashku me një saldo parashë të cialat kishin ngelur nëpër inkasant dhe duke kryer barazimin me ta, ata i dorzuan dhe të njejtat iu dhanë në posedim Qeverisë Komunale.
Tabela në vazhdim paraqet planifikimin dhe realizimin e mjeteve për vitet e funkcionimit të KKF-së përbërja e tretë.
| Nr.r. | Vitet e punës | Planifikimi vjetor | Realizimi vjetor | % e realizimit | Financimi vetanak | Sufina-ncimi |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 |
| 2 | 1993 | 197,820.00 | 100,341.00 | 51% | 48% | 52% |
| 3 | 1994 | 452,268.00 | 355,624.00 | 79% | 51% | 49% |
| 4 | 1995 | 1,095,680.00 | 628,292.00 | 57% | 58% | 42% |
| 5 | 1996 | 1,149,900.00 | 845,274.00 | 74% | 73% | 27% |
| 6 | 1997 | 1,306,198.00 | 1,277,873.00 | 98% | 70% | 30% |
| 7 | 1998 | 1,370,370.00 | 1,302,400.00 | 95% | 60% | 40% |
| 8 | 1999 | 1,316,380.00 | 264,625.00 | 20% | 50% | 50% |
| 9 | gjithsej | 5,836,861.00 | 4,774,429.00 | 82% | 58,57% | 41.43% |
Nga tabela shifet se grumbullimi i mjeteve vetanake ishte afër 60%, ndërkaq mjete të cilat KKF i ka marrë nga sufinancimi kanë kalur pak mbi 40%, kjo vlersohej si një sukses mjaft i mirë dhe ishte vlerësuar mjaft pozitivisht nga kompetetntët e KQFK.
Inkurajon fakti se për çdo vit kemi pasur rritje të planit dhe njëkohësisht është rritur edhe realizimi i mjeteve të grumbulluara.
Në fund të këtij shënimi i cili ka mundur të jetë shumë më i gjatë po ju informojmë se përkundër punës së suksesëshme të KKF-së nuk arritëm që ti përmbushnim të gjitha obligimet tona, jo pse ne nuk deshëm por për faktin se nuk arritëm të grumbullojmë të gjitha mjetet e planifikuara, disa shkolla mbetën pa pagesë për 1 pagë, disa 2, tjerat tri e deri në pesë rroga pa paguar sepse terenet e tyre ishin pasive dhe të papërgjegjëshme për obligimin që kishin ndaj shkollave të tyre.
Krijimi i institucioneve të përkohshme të Kosovës, bëri që të pushoj së funkcionuari KKF dhe Këshillat tjerë. Procesverbalet nga takimi i fundit i KKF i mbajtur në Topliqan në shtëpinë e Xhavit Dakës, jo për ndonjë strehim apo ikje nga Lipjani por për të shënuar dhe evidentuar edhe një proqes tani besojmë të fundit në objektin e njeriut i cili ishte me tërë qenjën dhe pasurinë e tij në shërbim të mbarëvajtes së proqeseve të përgjithshme në Kosovë, tani ato kishin përfunduar me Lirinë që na sollën UçK, populli, dhe Nato. Në këtë mbledhje u morë vendimi i ndërprerjes së punës së KKF-së, i arhivimit të dokumentacionit, dhe proqesverbalit. Vendimi i KKF-së ishte konform me qëndrimin e KQFK-së. Mjetet e mbetura dhe një pjesë e suficitit u dhanë edhe për dy paga mujore për të gjithë punëtorët arsimor.
Vërejtje e autorit të shkrimit
Duke parë të nevojshme dhe duke dëgjuar pëshpertjet e disa individëve, personaliteteve politike të pas luftës që nuk ishin askund dhe nuk bënë asgjë as para e as pas lufte, një numri të arsimtarëve që morën paga nga KKF-ja, deri sa shumica nga anëtarët e KKF-së dhe Nënkëshillave punuan vullnetarishtë dhe pa fituar as edhe një cent nga puna e tyre, për të treguar aktivitetin dhe punën e madhe të një numri të madh të aktivistëve dhe për të falenderuar qytetarët që na janë përgjegjur si është më së miri. Transparencën e kemi pasur virtyt të punës tonë vullnetare dhe të rëndë, kemi shërbyer qytatarët, kemi paguar arsimtarët me aq sa kemi pasur fuqi dhe kapacitete, kemi dhënë edhe bursa për studentët që ishin në pamundësi finaciare për të vijuar shkollimin, kemi blerë edhe inventar shkollor, mjete pune dhe shkrumsa për shkollat, kemi ndihmuar luften finaciarisht dhe kemi bërë krejt ate që kemi pasur mundësi.
Menjëherë pas përfundimit të luftës jemi ulur komplet Këshilli Komunal dhe kemi punuar raportin perfundimtar të grumbullimit dhe shpërndarjes së parave, Anëtarët e KKF-së nuk kishin orjentime dhe ndarje politike, për të gjithë ishte e rëndësishme se përfundoj lufta dhe ate me fitore, sigurisht se nuk kishte nevojë më për KKF-në e as KKE, kështu që u hartu raporti i punës së KKF-së, u konstatua se kishin ngelur të pashpenzuara edhe 7,020.00DM, të cilat mjete u vendos që ti dorzohen Qeverisë së perkohshme komunale, a është qëlluar me këte vendim apo jo nuk është pergjegjësi individuale e kryetarit por është përgjegjësi komplet e Këshillit që mori vendimin për derdhjen e parave të mbetura në arkën komunale. Vazhdimi i krekosjeve dhe thirrjeve publike të disa arsimtarëve se KKF ju mbeti atyre borxh 17 paga është i pavertetë dhe i paqendrueshëm. KKF max. Ka mbetur pa i grumbulluar paratë te qytetarët mesatarisht për pesë paga. Nëse arsimtarët aludojnë në paratë e tre perqindëshit të grumbulluar në diasporë dhe pati teprica të deklaruara deri në 50 milion DM, atëherë ata duhet ta drejtojnë gishtin nga ish kryeministri Bujar Bukoshi, tani kryeministri Isa Mustafa i cili ishte Minister i Financave në Qeverinë Bukoshi. Vertetë këtu kanë të drejtë të gjithë mësimdhënsit që ta kërkojnë ate 50 milionsh i cili u shëndrrua në Fond privat si quhej UFORK dhe u harxhua dhe u keqpërdor nga të autorizuarit e Qeveris në Ekzil.
Kopjet e raportit/bilancit perfundimtar u dorzuan:
- Këshillit Qendror për Financim,
- Qeverisë së perkohshme komunale dhe
- Këshillit nderpartiak i cili veq ishte rasformuar në KKE.
Shkaktar i publikimit të këtij shkrimi janë disa zëra të krekosur që vazhdojnë të shajnë dhe etiketojnë KKF-në, që sipas të gjitha vlerësimeve është organi ma i suksesëshëm dhe më transparenti që ka mundur të jetë një ekip vullnetarësh që kanë punu në kushte të rënda dhe të jashtëzakonshme.
Fjala e urtë popullore thotë: ”Qentë vazhdojnë të lehin, karavani ecë përpara”(sic), shton ai. /LipjaniNews.com/


