Shukri Buja: Dhe sot, mbi këto plagë, rëndon edhe një goditje tjetër

PUBLIKUAR

Postimi nga Shukri Buja:

Të nderuara familje të dëshmorëve!
Të nderuara familje të martirëve!
Të nderuar bashkëluftëtarë!
Të nderuar qytetarë!

Është i rëndë, i papërgjegjshëm, politik, i njëanshëm dhe i dëmshëm për Kosovën vendimi i Gjykatës së Specializuar!

Sot nuk u goditën vetëm çlirimtarët. U godit lufta jonë. U godit sakrifica jonë. U godit gjaku i derdhur për liri. U godit një popull që, për të qenë i lirë, pagoi çmimin më të shtrenjtë.

Është e rëndë për ne kur dënohen çlirimtarët, ndërsa pushtuesi, përmes mekanizmave të tij shtetërorë, që kreu krime të rënda ndaj popullit tonë, vazhdon të mbetet pa përgjegjësinë që ne e kërkojmë.

Ne ende hapim varre masive. Ende kërkojmë të pagjeturit. Ende ka nëna që presin përgjigje. Ende ka familje që jetojnë me plagët e luftës.

Dhe sot, mbi këto plagë, rëndon edhe një goditje tjetër.

E di se çfarë keni në zemër sot.
Zemërim. Mllef. Dhimbje. Revoltë.

Dhe askush nuk mund t’jua mohojë këtë dhimbje.

Por, ju lutem: mos ta lejojmë dhimbjen të na verbojë.

Sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë.
Ta ngremë zërin. Ta shprehim revoltën, por jo me dhunë.
Mos të biem pre e provokimeve të armiqve tanë dhe strukturave të tyre që veprojnë brenda Kosovës.

Mos t’ua japim mundësinë të dëmtojnë Kosovën në emër të dhimbjes sonë.

Sepse kjo Kosovë që e kemi sot nuk u fal. Ajo u ngrit mbi sakrificën e atyre burrave që e mbajtën mbi supe peshën e luftës, që ecën përmes zjarrit, që i lanë vitet e rinisë nëpër beteja dhe që sot i mbajnë në ballë rrudhat e një historie të shkruar me gjak.

E përballë gjithë kësaj dhimbjeje, një fjalë duhet të mbetet mbi çdo zë tjetër: LIRIA E TYRE!

Le të mos shuhet kurrë shpresa për drejtësi, për të vërtetën dhe për kthimin e tyre në Kosovë.

Dhe derisa të hapen dyert e lirisë, zëri ynë do të mbetet i pandalur.
Liria e tyre nuk është thjesht një shpresë, është një thirrje që nuk do të heshtë kurrë!

SHIKO MË SHUMË

Punëtori rrëzohet në një objekt në Lipjan, përfundon në QKUK

Një aksident në vendin e punës ka ndodhur ditën e djeshme në Lipjan ku...

Flamur gjigant i UÇK-së vendoset në objektin e Komunës së Lipjanit

Një flamur gjigant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është vendosur në objektin e...

Buja: Vendi ka mbetur pa liderët që do të arrinin marrëveshje politike

Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, ka thënë se procesi në Hagë po rezulton i...