Një këshilltare e afërt e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, Kellyanne Conway, ka kritikuar sot sanksionet amerikane kundër Rusisë, duke vlerësuar se objektivi i presidentit në ikje Barack Obama është që të bllokojë pasuesin e tij për Shtëpinë e Bardhë.
Obama njoftoi dje një seri masash kundër shërbimeve sekrete ruse, përfshirë këtu edhe përjashtimin e 35 diplomatëve rusë, për qëllim sanksionimin e Moskës të akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Nuk mendoj se edhe në maksimumin e Luftës së Ftohtë ky vend të ketë përjashtuar kaq shumë agjent”, deklaroi dje në mbrëmje për CNN-në, Conway, duke i cilësuar këto sanksione të paprecedenta.
SHBA-ja nuk ka përjashtuar asnjëherë kaq shumë diplomatë rusë që prej vitit 2001, kur Uashingtoni kishte larguar rreth 50 përgjegjës rusë të akuzuar se ishin në kontakt me një agjent të FBI-së, Robert Hansseen, i cili kishte punuar për 15 vite për Moskën, transmeton atsh.
Sipas Conway, “shumë mendojnë se këto sanksione synojnë të bllokojnë Donald Trump dhe të reduktojnë hapësirën e manovrimit kundrejt Rusisë kur ai të vijnë në detyrë më 20 janar”.


