Rusia ka reaguar ndaj akuzave të Shteteve të Bashkuara se Moska është duke shkelur kushtet e një traktati të rëndësishëm të Luftës së Ftohtë për armët.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, nëpërmjet një deklarate ka thënë, se “akuzat janë absolutisht të pabazuara”.
Kjo deklaratë ka ardhur vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të ndërmarrin masa ekonomike dhe ushtarake kundër Moskës, si përgjigje ndaj mosmarrëveshjeve tensionuese rreth një rakete ruse, të cilën Uashingtoni e konsideron si shkelje të Traktatit për Forcat Atomike me Rreze të Mesme Veprimi (INF).
Ky traktat konsiderohet si i rëndësishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik, për të eliminuar për herë të parë raketat balistike në Evropë, shkruan REL.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar zyrtarisht Rusinë për zhvillimin e raketave në kundërshtim me Traktatin e INF-së më 2014, ndonëse ekspertët e Inteligjencës kanë thënë se sistemi ishte duke u zhvilluar disa vite më parë.
Më herët, gjatë këtij vit, Uashingtoni ka thënë se raketa ishte në gjendje pune.
Më 29 nëntor, zyrtari i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Christopher Ford, ka qenë i përfshirë në kontrollin e armëve, duke identifikuar raketën 9M729, në të cilën ekspertët e kontrollit të armëve janë fokusuar tani.
Kjo ka ngritur shqetësime se raketa e re mund të jetë e padallueshme nga sistemi aktual dhe nuk mbulohet nga Traktati INF, që përfshin sistemin shumë të sofistikuar të raketave Iskander-M.


