Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri, Komisioni i Ligjeve vendosi të rrëzojë të gjitha ligjet e kthyera nga Presidenti Bujar Nishani, për rishqyrtim në Kuvend. Komisioni rrëzoi dekretin për KLD-në, dekretin e Nishanit lidhur me funksionimin e Gjykatës Administrative, ligjin për Shkollën e Magjistraturës, dhe ndarjen e re administrativo-territoriale.
Gjatë diskutimeve për dekretin e ndarjes së re territoriale, anëtari i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho u shpreh se Presidenti Nishani është tallur me Kuvendin, duke shtuar më tej se ai ka shpërdoruar detyrën dhe shkelur Kushtetutën.
Braho më tej u shpreh se këto relacione janë dëgjuar edhe tre herë të tjera, ndërsa i ka kërkuar Komisionit të mos e zgjasë më tej shqyrtimin e këtyre dekreteve. “Do u kërkoja relatorëve të mos e zgjasim këtë komedi. Presidenti shpërdoroi detyrën, tallet me Kuvendin. Këto relacione i kemi dëgjuar 3 herë, të mos e zgjasim”, u shpreh Braho.
Ndërkohë Bashkim Fino u shpreh se Presidenti bëri një gabim shumë të madh me takimin e krerëve të qeverisjes vendore. “Presidenti nuk mund të takojë 24 komisarë të PD-së. Presidenti bëri gabim trashanik, ai përfaqëson unitetin e kombit”, tha Fino. /Telegrafi/



