Thashethemet rreth ekzistencës së librit polarizuan dy fraksionet përreth Hoxhës, e pikërisht gardën e vjetër të stalinistëve, pushteti i të cilëve mbështetej te Sigurimi dhe liberalët me në krye Ramiz Alinë, të cilët shiheshin me përbuzje nga figura të tilla si Nexhmije Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo
Peter Morgan
Ramiz Alia e përfundoi leximin e dorëshkrimit të plotë të “Dimrit të vetmisë së madhe” në vjeshtë të vitit 1972. Muajt kalonin dhe shkrimtari nuk mori asnjë lajm. Atmosfera e detantës dhe optimizmit në kryeqytet, që nisi rreth fundit të viteve ‘60, vazhdoi deri në dimrin e 1972-shit, ndërkohë që Hoxha u kthye nga pushimet dimërore në Vlorë në fund të vitit. Në një paragraf, që evokon “Pallatin e ëndrrave”, Kadareja përshkruan ftohtësinë e papritur që mbërthen qytetin:Qysh një ditë më pas [kthimit të Hoxhës] filloi të përhapet një thashethem që nuk sillte diçka të mirë. Diçka po ndodhte. Thashethemi transformohej nga dita në ditë si një lloj larve gjigante (diçka e keqe kishte ndodhur…..shoku Enver është zëmëruar…..është diçka tepër serioze….) deri sa doli formulimi alarmues që asgjësoi çdo shpresë, “ka dalë një grup…me fjalë të tjera…një komplot…në fushën e kulturës”. (Pesha, 356). Një situatë e tillë për Kadarenë tregonte se Hoxha ishte në dilemë duke shpresuar akoma në një afrim me Perëndimin. I izoluar nga Bashkimi Sovjetik, ai po ashtu u ndie i poshtëruar nga kinezët pas veprimeve “revizioniste” të Mao Ce Dunit. Ky i fundit nisi afrimin me Shtetet e Bashkuara fillimisht nëpërmjet ndërmjetësve në 1970-n, gjë që më vonë u kurorëzua me vizitën e Niksonit në Kinë, në shkurt të vitit 1972. Strategjia e krijimit të një alibie për shkrimin e tij, duke i ofruar diktatorit një imazh të idealizuar, i cili do të kryente funksionin e një modeli të “diktatorit të butë”, ishte një veprim i rrezikshëm. Megjithëse ishte i regjur politikisht dhe finok, Kadareja nuk mund t’ia kalonte Hoxhës në këtë drejtim. Me besim të tepruar në vetvete, bile edhe optimist rreth ndryshimeve të vijës politike me Kinën, ai nuk e kishte marrë parasysh mundësinë e një izolimi të plotë dhe dështoi në parashikimin e ngricës ideologjike të fillimit të viteve ‘70. I inkurajuar nga gjallëria e rinisë dhe nga ndjesia e ndryshimeve shoqërore e kulturore, si dhe nga lidhjet me intelektualët progresivë si Lubonja e Paçrami, ai i kishte hedhur zaret. Ndërkohë, ai dhe romani i tij u përfshinë në makinacionet e mëtejshme politike. Thashethemet rreth ekzistencës së librit polarizuan dy fraksionet përreth Hoxhës, e pikërisht gardën e vjetër të stalinistëve, pushteti i të cilëve mbështetej te Sigurimi dhe liberalët me në krye Ramiz Alinë, të cilët shiheshin me përbuzje nga figura të tilla si Nexhmije Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Për më tepër, Nexhmija, bashkëshortja e udhëheqësit, ekstremistë stalinistë dhe luftëtare partizane gjatë luftës, kishte influencë të madhe si anëtare e Komitetit Qendror dhe si pjesëtare e “fronit mbretëror” së bashku me Kapon në veçanti. Dorëshkrimi kaloi dorë më dorë mes fraksioneve dhe secili prej tyre e përdorte sipas qëllimeve të tyre politike pro apo kundër autorit, duke mbajtur parasysh subjektin tepër delikat, që lidhej drejtpërdrejt me udhëheqësin e madh. Enver Hoxha mbajti një heshtje ndjellakeqe. Romani as nuk u lavdërua e as nuk u ndalua por mbeti nën kontrollin e diktatorit dhe fraksioneve rreth tij. Koha po kalonte, Perëndimi nuk po tregonte interes për t’u afruar, kështu që diktatori duhej të vepronte. Në një mbledhje të Komitetit Qendror, ai tërhoqi vëmendjen për devijime ideologjike dhe foli rreth ekzistencës së një komploti brenda qeverisë. Si gjithmonë, ai do të përçante e sundonte dhe intrigat e brendshme politike do të përdoreshin për të justifikuar rritjen e vigjilencës e kontrollit. Ndërkohë, dorëshkrimit të Kadaresë iu dha e drejta për botim dhe u dërgua në shtypshkronjë. Ai doli me një tirazh prej 25 mijë kopjesh, të cilat u shitën menjëherë. Me daljen e tij, ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, deklaroi se, “lexova dyzet faqe dhe pështyva dyzet herë”. Secila palë mendonte se kishte fituar dhe shpresonte ta shihte kokën e Kadaresë mbi një hu si tribut ndaj liberalizmit apo stalinizmit. Spastrimi nisi në fillim të vitit 1973. Terrori filloi me një fushatë të shtypit kundër romanit, duke e akuzuar autorin për aktivitet antisocialist dhe armiqësi ndaj diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Nuk ishte habi që përdorimi i fjalës “vetmi” në titullin e librit origjinal u konsiderua si kritikë për udhëheqësin e madh. Gazetat u përmbytën nga letrat kritikuese (një mënyrë e rëndësishme e denoncimeve “nga populli”) dhe u thirrën mbledhje të shumta për të diskutuar veprën. Në atë kohë, Kadareja dyshonte se pas kësaj fushate për ta përdorur romanin kundër tij fshihej Nexhmija dhe e mbështet akuzën e tij me dëshmitë që dolën në vitin 1991. Hoxha vetë qëndroi i heshtur dhe kjo ishte provë për Kadarenë, se ai ishte joshur nga mundësitë që i jepeshin për të prezantuar vetveten dhe ndryshimin, gjë që nënkuptohej me mënyrën e prezantimit të tij në roman. Megjithatë, ai u vu në pozitë të vështirë me gruan e tij Nexhmijen, organet e Sigurimit dhe gardën e vjetër “majtiste”, që e nxisnin për të marrë masa kundër shkrimtarit dhe përkrahësve të tij. Ai mendonte se sovjetikët po e ndiqnin me interes dhe prisnin përgjigjen e tij dhe liberalët shpresonin për ndryshim. Hoxha e dinte se ai nuk mund të gjente shkrimtar tjetër si Kadareja. Nëse romani ndalohej, imazhi i tij si hero i pavarësisë së Shqipërisë dhe ndëshkues i revizionistëve sovjetikë do të zhdukej përgjithmonë. Sovjetikët do të gëzoheshin dhe krahu i majtë i partisë do të dilte fitimtar. Nëse romani do të lejohej të mbetej në qarkullim, ai do t’i ishte borxhli këtij shkrimtari, i cili gjithsesi po e sfidonte atë si përfaqësues i një Shqipërie të vetmuar e të varfëruar në botën e pasluftës dhe si zëdhënës i saj në Francë e më tej…. Kërkesa për të hequr nga qarkullimi “Dimrin e vetmisë së madhe” iu dorëzua, në maj të 1973-shit, Komitetit Qendror nga sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën. Arsyet që shtroheshin në të ishin shtrembërimi i historisë së prishjes së Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë, futja e temave të ankthit ekzistencialist, “teoritë bashkëkohore borgjeze të revolucionit seksual”, surealizmi, konflikti mes brezave, alkoolizmi, prostitucioni dhe vese të tjera, si dhe një qëndrim “arkaik” në vend të “patriotizmit socialist”. Të nxitura nga kjo kritikë, polemikat rreth romanit u ndezën për disa muaj rresht. Në një denoncim të mëtejshëm, në maj të vitit 1973, nga Komiteti i Partisë i Rrethit të Elbasanit, temat e “degjenerimit moral të rinisë” dhe “tendencat feministe” konsiderohen si të papërshtatshme për letërsinë shqiptare. Romani mbeti në qarkullim por spastrimi vazhdoi duke fuqizuar diktaturën e duke u bërë të qartë liberalëve të mos merrnin zemër nga kjo fitore. Kadareja e rishikoi dorëshkrimin, siç iu kërkua, dhe e dorëzoi për diskutim në parti dhe nëpër komisione. Në përgjigjen zyrtare nga Dalan Shapllo, në nëntor të vitit 1973, rishikimet u pranuan por u konsideruan të pamjaftueshme. U përpilua një listë e re kërkesash, ku u vu në dukje “revizionizmi” i Kadaresë si dhe mungesa e figurave pozitive midis intelektualëve, nostalgjia e tyre për Rusinë, trajtimi ironik i parimeve të socializmit dhe përkrahja e fshehtë e “liberalizmit”. Përgjigjja zyrtare ishte e thellë dhe e hollësishme e kjo tregon se sa seriozisht merrej letërsia dhe fjala e shkruar në Shqipëri dhe në vendet socialiste në përgjithësi. Dashnor Mamaqi vë në dukje theksimin në mbledhjet me Hrushovin të revizionizmit të tij, në vend që të nxirren në pah çështja politike e drithërave, marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-sovjetike dhe rëndësia e bazës së Vlorës.



