Vendet në të gjithë botën kanë apeluar për qetësi pas trazirave disa ditësh me sulme hakmarrëse nga Izraeli dhe Palestinezët.
SHBA, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nxitur Izraelin dhe Palestinezët të ulin tensionet sa më shpejt të jetë e mundur, transmeton Indeksonline.
Dhuna u përshkallëzua të hënën në mbrëmje pasi militantët palestinezë hapën raketa drejt Jeruzalemit.
Si përgjigje, ushtria izraelite nisi sulmet ajrore kundër caqeve të militantëve në Rripin e Gazës.
Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë në Gaza thanë se 22 persona, përfshirë fëmijë, kishin vdekur gjatë atyre sulmeve. Ushtria e Izraelit tha të paktën 15 anëtarë të grupit Hamas që sundon Gaza ishin midis të vrarëve.
Hamas kishte kërcënuar të godiste pasi qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite në një vend të shenjtë në Jeruzalem të hënën.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Hamasi kishte “kaluar një vijë të kuqe” dhe se Izraeli do të përgjigjej “me forcë të madhe”.
Përballje gjithnjë e më të dhunshme janë parë mes policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në një kompleks në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit.
Palestinezët janë zemëruar për kufizimet në hyrjen në kompleks, ku është vendosur xhamia Al-Aqsa – vendi i tretë më i shenjtë në Islam – së bashku me Malin e Tempullit – vendi më i shenjtë në Judaizëm.
Të martën në mëngjes, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, një grup humanitar, tha se më shumë se 700 palestinezë ishin plagosur nga përleshjet me forcat izraelite të sigurisë në Jeruzalem dhe përtej Bregut Perëndimor, raporton BBC./Indeksonline/


