Qebaptorja në Lipjan helmon babain dhe të birin

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Vazhdon të shtyhet votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin...

Lushtaku kujton të vrarët në masakrën e Izbicës, thotë se kjo plagë nuk shërohet deri në arritjen e drejtësisë

Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka kujtuar masakrën e ’99-ës të Izbicës. Në këtë masakër...

timthumb

Meqë një pjesë e familjes sime të ngushtë gjendeshin për vizitë tek disa familjarë, unë dhe çuni im, Shqiproni, në qytezën e Lipjanit, hymë në një qebaptore me emrin “Anita”, me pronar një farë Musai, për të ngrënë darkën. Hëngrëm dhe dorën në zemër, përshtypja e parë ishte se: shërbimi nuk ishte sa duhet në nivel dhe jo edhe aq higjienike.

Të nesërmen në të njëjtën kohë, mua dhe djalit na u paraqiten simptomat e para e që ishin: barkëqitje, temperaturë, vjellje dhe ngërçe barku. U drejtuam menjëherë për ndihmë te mjeku. Aty na thanë se kemi helmin dhe intervenuan me infuzion dhe pastaj na lanë të lirë. Na treguan se çfarë duhet të bëjmë: të pimë çaje, ujë shumë dhe të mbajmë një dietë ushqimore. Ashtu dhe vepruam. Unë me vete kisha marr tableta, që ndihmojnë në zbritjen e temperaturës nga Zvicra, të njohura si Dafalgan 500mg dhe ato tek unë ndikonin menjëherë dhe e zbritnin temperaturën por jo edhe tek djali. Atij më së shumti temperatura nga 40°c i zbriste tek 38°c dhe jo më shumë.

Duke parë që gjendja shëndetësore e djalit përkeqësohej gjithnjë e më shume, por edhe e imja, e cila kishte mbetur konstante, pa përmirësime, u drejtuam për ndihmë tek QKUK-ja dhe atë në Emergjencë. Aty na thanë të lajmërohemi menjëherë tek Klinika Infektive.

U lajmëruam

Dhe këtu filloi për mua AKTI më tragjik i Mjekësisë në mbarë Kosovën, ngaqë aty pash dhe mësova, se si nuk duhet me qenë mjeku,  se si nuk duhet trajtuar pacientët; mësova se si në Kosovë, nuk duhet fare askush të sëmuret, ngaqë Mjekësi nuk kishte; ngaqë mjekë nuk kishte apo më mirë me thënë kishte mantelbardhë me veprime të mantelzinjve

“O zoti im” thashë dhe u luta disa ditë më vonë: “Ndihmoju të sëmurëve në Kosovë, ngaqë s’kishte mjekë për të ndihmuar të sëmurët… ishin ca “mjekë”( në u thënçin mjekë), por pa vullnet për të punuar, pa vullnet për të kontaktuar të sëmurët.

Ne u lajmëruam dhe aty për aty, një që punonte në pranim, në mënyrë më vulgare na u drejtua me fjalët:

“Prisni se jam lodhur sepse nga ora 14:30 jam duke punuar!”

Ora kur ne u lajmëruam ishte 16°° dhe kjo zonja për një orë e gjysmë punë ndjehej e lodhur.

Ngaqë kishim barkëqitje, një “mjek” që sillej aty në mënyrë vulgare e pyetëm se “ku kishte tualet?”, ngaqë kishim nevojë për të. Ai pyetjen tonë e mori për fyerje, ngaqë si “mjek” ndoshta nuk duhej bërë atij një pyetje të tillë. Ky farë doktori emrin e kishte Isak dhe për fatin tonë të keq, i njëjti ishte atë ditë kujdestar që do të thoshte, tërë natën ne do të ballafaqoheshim me veten, sëmundjen dhe me lutjet tona drejtuar perëndisë për ndihmë.

Dhe ndihma nga mjekët atë natë nuk erdhi dhe as ditët dhe netët në vijim.

Meqë në pranim na u tha të prisnim ngaqë ishin të lodhur nga “puna” dhe unë pash më shumë  “jo punë“ u kërkova të më tregonin se “ku ka Spital privat, klinikë private apo diç tjetër, ngaqë rasti ishte urgjent dhe ne nuk mund të prisnim, nuk na tregonin… Me insistimin tim se “Ju lutem më thoni se ku mund të drejtohem në ndonjë Klinik tjetër” nuk na thanë, përkundrazi mu drejtuan në mënyrë ironike:

“Ti s’paske asgjë se po mundesh me folë!”

O zoti im, kjo ishte Mjekësia në Kosovë! Po, natyrisht, që unë kërkoja komunikim me mjekët dhe veten e kisha harruar fare, ngaqë gjendja e djalit tim ishte shumë e keqe.

Më vonë një mjeke që ishte aty afër më tha se “nuk ka nevojë me shkue në Klinik Private, ngaqë shërbimet që ofronin ata aty në Klinikën Infektive, nuk ofronte asnjë klinik tjetër”… Dhe me të vërtet, u binda më vonë, që shërbimet që ofronin aty, jo që nuk ofronte asnjë Klinik, por më thotë mendja që, shërbime të tilla s’ka në asnjë Klinik tjetër të rruzullit tokësor

Na pranuan në Klinikë dhe s‘pari na sorollaten nga një korridor në tjetrin, duke kërkuar dhomë për ne. Nuk dakordoheshin se ku t’na vendosnin…Djali ishte në gjendje tanimë shumë të keqe. Kur unë shpërtheva me “o shpejtoni me infuzion dhe lëreni dhomën se edhe në korridor po e marrim” na vendosen në pavijonin F… Ishim lajmëruar në ora 16°° dhe tek aty nga ora 20:30 minuta erdhi një motër dhe na vuri infuzionin. Mjekun nuk e pamë askund. Na morën gjakun për analiza dhe i thanë shoqes sime ta dërgojë në laboratorët private se e bëjnë më shpejt.. Shoqja ashtu veproi dhe pas nja 40 minutash i solli analizat… ia dorëzuam motrës kujdestare dhe ajo na tha se do t’i shikojë mjeku. A i ka shikuar apo jo mjeku nuk e dimë, por ajo që e di është se sot e kësaj dite, ne askush nuk na ka komunikuar asgjë; as një të vetme të dhënë rreth rezultateve.

Një nga parimet kryesore të etikës mjekësore është: Kompetenca profesionale

Mjeku duhet t’i garantojë të sëmurit përkushtim dhe kompetencë profesionale. Ai duhet të përballojë problemet diagnostike e mjekuese, duke i dedikuar të sëmurit kohën e nevojshme.

Ai duhet të kryejë punën e tij pa mangësi profesionale dhe etike, pa abuzuar mbi të sëmurin nga ana fizike, emocionale ose materiale…

Por e gjithë kjo mungonte… Të nesërmen, sërish na dhanë infuzion dhe gjatë vizitës nuk u interesonte të dëgjonin për gjendjen tonë, por më shumë u interesonte se “a kemi dhënë në Pranim adresë të vendbanimit të Zvicrës apo të Kosovës? Edhe pse kishim temperaturë gjatë tërë kohës as edhe një here të vetme nuk erdhi një mjek i vetëm për t’i matur temperaturën birit tim dhe as mua, as edhe një herë askush dhe asnjeri nuk i vuri një herë të vetme dorën në ballë për ta shikuar se sa është temperatura? Asnjë herë të vetme! Unë isha ai, i cili vazhdimisht i maste temperaturën djalit dhe vetes, natën dhe gjatë ditës dhe unë isha ai, që duhej të intervenoja me Paracetamol 500mg, ngaqë Dafalganët 500 mg na u kishin harxhuar.
Pas ditës së tretë, gjendja ime u përmirësua, por gjendja e djalit tim mbeti e njëjtë, edhe pas marrjes së tabletave temperatura nuk i zbriste nën 38°C dhe njëkohësisht kishte gjatë tërë kohës të vjella dhe barkëqitje me ngërçe barku
U kërkova që të intervenojnë sa më parë me antibiotikë, ngaqë gjendja e tij tanimë është serioze dhe i ka kaluar përmasat e një helmimi të rëndomtë

“S’ka nevojë”- më thanë

“Ju lutem, – u thashë.- tregona se çfarë kanë treguar rezultatet e analizave të gjakut, të urinës dhe të jashtëqitjes, ju lutem na tregoni se cila është shkalla e rrezikshmërisë, sepse unë djalin dua ta dërgojë menjëherë në Zvicër?!”

“Nuk ka nevojë me ja prish djalit pushimet se i kalon“, – më thanë, porse çfarë kishin treguar rezultatet nuk më treguan. Konkludova se as që u interesonte shumë se çfarë ka ai, pra djali im…Për ta mjaftonte diagnoza fillestare: helmim me ushqim dhe kaq. Aq u bënte se ishte dita e pestë që djali nuk kishte përmirësime

Megjithëse kërkoja të na informonin ata bëheshin veshshurdhër… A, një nga parimet kryesore që duhet të dijë çdo mjekë është kjo:

Informimi i të sëmurit

Mjeku duhet të informojë të sëmurin për ecurinë e ekzaminimeve dhe të llojit të mjekimit, të japë parashikime, duke i bërë të ditur të sëmurit të mirat dhe të këqijat për të marrë së bashku vendimin më të drejtë të trajtimit më të mirë.
Në rast se i sëmuri është nën moshë për të gjykuar në mënyrë të pavarur ose i paaftë mendërisht, mjeku është i detyruar të marrë vendimin e familjes ose kujdestarit dhe kur kjo është e pamundur, të veprohet nën përgjegjësinë e konsultës mjekësore.

E drejta e të sëmurit të informohet për rezultatet

I sëmuri ka të drejtë të dijë të vërtetën mbi sëmundjen e tij dhe të njihet me të gjitha rezultatet e analizave dhe dokumentet e tjera mjekësore. Megjithatë, nëse mjeku e gjykon që kjo vënie në dijeni dëmton shëndetin e të sëmurit, atëherë ai nuk është i detyruar ta informojë atë për të vërtetën apo t’i tregojë dokumentacionin mjekësor.

Informimi i familjarëve

Është detyrë morale e mjekut të tregojë mirëkuptim dhe bashkëshqetësim me familjarët e të sëmurit dhe t’i mbajë ata në dijeni për ecurinë e gjendjes së të sëmurit. Ky bashkëpunim është në të mirën e të sëmurit.

Mjekët jo që nuk na informuan as edhe një herë të vetme për asgjë dhe rreth asgjëje, por ata silleshin në mënyrë inferiore, jo vetëm mjekët, por edhe motrat dhe personeli tjetër që punonin aty: me qenë e keqja më e madhe vërmë se rolin e mjekut herë pas herë me këshilla e luanin edhe pastrueset…

O zot kush do t’u dalë në ndihmë pacientëve të Kosovës?…

Mu kujtua një bisedë me mjekun tim personal në Cyrih të Zvicrës…

Në Zvicër ka mjaftë rriqra dhe popullata vaksinohet,,, Gjatë vizitës së bërë mjekut tim, ai më pyeti : a jam vaksinuar kundër pickimit të rriqrave? dhe meqë i thash jo, ai më tha se do të ishte mirë të vaksinohem. Me ketë rast mjekut i shpjegova se në vendin tim në Kosovë për çdo vit vdesin disa veta si pasojë e pickimit të rriqrave.

Mjeku im u befasua dhe më tha se “sot pickimi i rriqrave nuk paraqet rrezik të madh për jetën ngaqë ka medikamente dhe antibiotikë, të cilët veprojnë shumë-shumë shpejt“….

Pra, në Zvicër ka kafshime, por nuk ka vdekje

Tanimë, gjersa unë me djalin tim gjendesha në Klinikën Infektive mu bë më se e qartë se përse në Kosovë, vdisnin aq shumë veta nga helmimet dhe kafshimi i rriqrave. Për mua jo si pasojë e kafshimeve sesa si pasoj e joprofesionalizmit të mjekëve ose më mirë me thënë në mungesë të mjekëve sepse:

Në Kosovë mantelbardhë kishte sa të doni, por mjekë kishte shumë pak të mos them aspak.

Më datën 4 gusht, u kërkova mjekëve të më bënin fletëlëshimin sepse djalin po e dërgoj urgjentisht në Zvicër. Nuk ju bëri fort përshtypje kjo gjë. Pritni, thanë te dhoma e fletëlëshimeve. Pritëm aty dhe asnjë nga mjekët nuk erdhi të përshëndetej apo edhe të kërkonte së paku që t’i informonin më vonë se si u bë gjendja shëndetësore e djalit

“O zot” thashë atë ditë si edhe ditë të tjera më parë -“ndihmoju të sëmurëve në Kosovë, ngaqë mjekë për ndihmë nuk paska”

EPILOGU

Djalin me aeroplan e dërgova në Zvicër dhe menjëherë e shtruan në Spitalin e Cyrihut. I dhanë infuzion dhe aty për aty erdhën katër mjekë dhe tri motra… E izoluan në një dhomë të veçantë, ngaqë vinte nga një shtet tjetër me simptoma të helmimit… Brenda dy orëve, akoma pa përfunduar infuzioni i parë, mjekët erdhën dhe na komunikuan:

“ Djali i juaj ka HELMIM të GJAKU“!

Na pyeten se a jemi dakord që ta informojnë edhe mjekun e shtëpisë.. U thamë, patjetër.

Na treguan se sa serioze është gjendja dhe na bënë me dije, se po të vonohej me intervenim gjendja do të mundë të përfundonte pas disa ditësh me fatalitet… Intervenuan menjëherë me antibiotikë të tipit Ciprofloxacine 500, Normolyyteral dhe Arsenikum album D12. Menjëherë pas intervenimit gjendja e djalit tregon shenja të përmirësimit dhe të nesërmen i zbriti temperatura pa ju shfaqur sërish… Prej 30 korrikut e gjerë më 4 gusht, sa ishte në Klinikën Infektive në Prishtinë, ai as edhe një herë nuk ka pasur dëshirë të hajë ndonjë gjë… Vetëm tetë orë pas intervenimit të mjekëve të Cyrihut, ai vetë kërkoi t’i përgatisnim ca makarona, sepse siç tha:” ka uri”

Mjekët e Cyrihut e shpëtuan djalin tim. Ai sot akoma merr terapinë e njëjtë edhe për dy javë të tjera. Sot gjendet në shtëpi dhe pas katër ditë terapie të marra, në ditën e pestë, ai doli për të ngarë biçikletën… Jo shumë gjatë sepse akoma ndjen lodhje, por janë shenjat e para se dita-ditës po e merr veten.

Jam i bindur se po të qëndronte edhe pesë ditë më shumë në Klinikën Infektive në Prishtinë, djali im sot nuk do të ngiste biçikletën, por do të gjendej në varrezat e “Dragodanit”, ndoshta si shumë të tjerë si pasojë e neglizhencës së mjekëve
Unë e kuptoj mjekun që të mos jetë i kënaqur me pagën; që të mos ketë mjete moderne si kolegët e tjerë, por nuk mund ta kuptoj mjekun dhe mjekët, e të cilëve u mungon Vullneti.

Pa dashje mu kujtua një urdhërese e një kryetari të një qyteti të vogël në Brazil të para disa viteve. Ai kishte urdhëruar qytetarët e tij, që mundësisht,( urdhër kishte dhënë), askush të mos vdiste për dy muajt e ardhshëm.

Arsyeja e urdhëresës: Në atë qytet, varrezat ishin mbushur përplot me të vdekur dhe tani më nuk kishin vende se ku të varrosnin të vdekurit eventual.

Mu kujtua kjo urdhëresë dhe mendova sa mirë do të ishte, sikur në Kosovë popullsisë t’i urdhërohej që Askush të mos Sëmurej, ngaqë ndihmë nga mjekët kishin pak që të mos them aspak.

Mua tani para syve më dalin mjekët në Kosovë të veshur dhe të shndërruar në mantelzinj.

U drejtova me këtë letër të hapur të gjithë mjekëve të  Kosovës, me shpresën se do të ndërgjegjësohen dhe do të bëjnë punën e tyre me Vullnet… Nuk mund ta kuptoj asnjëherë mjekun, i cili pacienti që qëndron për gjashtë ditë të mos vijë e të mos i vë, bile së paku një herë, dorën në ballë, bile së paku njëherë ta shikojë siç thotë populli me “sula”

Djali im në Kosovë gati gjeti vdekjen, djali im në Cyrih ku mjekët nuk vuajnë nga asgjëja sepse janë në shërbim të pacientëve. Ata sot më bënë telefon në shtëpi dhe më pyeten se si e ka gjendjen Shqiproni. U tregova se është mirë. Më thanë: “për çdo ndryshim menjëherë të na kontaktosh!”

“O Zot“-, thash, ata më telefonojnë dhe pyesin se si e ka gjendjen djali dhe me këtë nuk preket egoja e tyre, ngaqë në Kosovë nuk ka mjekë që i telefonojnë pacientit pas lëshimit dhe ta pyesë se si po ndjehet

Unë pata mundësin ta sjellë djalin tim në Cyrih për mjekim, por shtrohet pyetja se çfarë bëhet me ata pacientë, e të cilët se kanë këtë mundësi…

 Me nderime,

Fatmir Brajshori

Mjekësia është humanitare!

 Mjekë në Kosovë të veshur me mantele të bardha kishte sa të duash!

Por mjerisht në Kosovë nuk kishte Mjekësi!

 Zoti u ndihmoftë të sëmurëve në Kosovë/zeri/

SHIKO MË SHUMË

Shpërndahen edhe 100 pako ushqimore për familjet me nevojë në Lipjan

KBI në Lipjan ka njoftuar se në këtë ditë të bekuar ramazani, shpërndahen 100...

Rrahje në Lipjan, arrestohet një i mitur

Policia Kosovës ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar- i mitur, pasi...

Vdes profesori i Gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan, Blerim Krasniqi

Ka vdekur Blerim Krasniqi, profesor në gjimnazin "Ulpiana" në Lipjan. "Lajmi për ndarjen e hershme...