Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka vendosur të shkurtojë furnizimin me gaz të Serbisë, nëse ajo nuk paguan menjëherë një pjesë të borxhit qindramilionësh që i detyrohet Rusisë.
Kërkesa drastike vjen si suprizë pas pritjes që iu bë Putinit në paradën e Beogradit, por një gazetë serbe, “Danas” shkruan se vizita nuk i ka lënë mbresa të mira Putinit.
Aleksandar Vuçiç është përpjekur në këtë periudhë të mos marrë anë në konfliktin BE-Rusi, por kjo në fund duket se po lë të pakënaqur të dy palët.
Putini mesiguri ka mbetur i pakënaqur nga vendimi i Serbisë për të ndërprerë punimet e gazjellësit South Stream, që është kundër interesave të BE-së.
Nga ana tjetër BE është i pakënaqur që Serbia po përpiqet të përfitojë nga bllokada që i ka bërë Putini prodhimeve ruse.
Pak ditë më parë presidenti rus tha në një fjalim se aneksimi i Krimesë është po aq legjitim sa pavarësimi i Kosovës. Kjo u pa me shqetësim në Beograd si një shenjë se Rusia mund të ndërrojë qendrim nëse ndryshojnë kushtet mes Moskës dhe Brukselit.
Në fund, vendimi i Kosovës për të qendruar haptas në njërën anë mund të dalë më i zgjuar se ai i Serbisë për të luajtur me të dy krahët.
Rusia ndodhet edhe vetë në situatë të vështirë financiare, me bllokimin e bankave perëndimore ndaj oligarkëve rusë dhe me rënien drastike të çmimit të naftës nëpër botë, një factor kyç në ekonominë e pazhvilluar ruse.
Borxhi i Serbisë mund të jetë i vogël në krahasim me buxhetin e Moskës, po në një situatë të tillë të vështirë financiare, Rusia mund të mos ketë durim për cicmicet e Beogradit.
Serbia mund të shtrëngohet që të paguajë një pjesë të borxhit rus, por kjo nga ana tjetër mund të shtyjë në prag të një krize të rëndë qeverinë e Vuçiçit. Kryeministri i Serbisë në shumë pikëpamje e ka fajin vetë që e ka imagjinuar dhe propaganduar lidhjen ruso-serbe si diçka të shenjtë, duke injoruar aspektin praktik të saj. Moska është një rrezik për demokracitë eurolindore dhe ka një mentalitet të shekullit të 19. Spërdredhjet diplomatike të Vuçiçit ecnin në dekadën e kaluar, tani Putini do lakej dhe jo balerina.Illyriapress.