Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i porsazgjedhur i Francës, Emmanuel Macron, e kanë zhvilluar sot një bisedë telefonike për të diskutuar rreth bashkëpunimit të mëtejmë në zgjidhjen e krizës në Ukrainë, njofton Kremlini.
Ata, po ashtu kanë shprehur gatishmërinë për të zhvilluar marrëdhëniet mes Rusisë dhe Francës, si dhe kanë folur për shtimin e kontakteve, sipas Kremlinit, transmeton Express.
Përveç krizës në Ukrainë, ata janë pajtuar që ta zgjidhin edhe situatën në Siri, përkundër pikëpamjeve të kundërta.
“Përkundër qëndrimeve të ndryshme në një numër çështjesh, ata i kanë nënvizuar marrëdhëniet e vjetra dhe të shkëlqyera mes dy vendeve, të cilat kanë pasur marrëdhënie diplomatike për 300 vite,” ka thënë një ndihmës i Macronit.
“Presidenti Putin e ka nënvizuar faktin se Franca dhe Rusia kanë qenë të forta kur janë bashkuar,” ka thënë ky zyrtar, i cili shtoi se Putin ishte nismëtar i bisedës telefonike përmes të cilës po ashtu e ka uruar Macronin për zgjedhjen president dhe emërimin e kabinetit./Express/


