Me rastin e festës së Fiter Bajramit, liderët e politikës shqiptare urojnë sot të gjithë besimtarët myslimanë.
Presidenti Bujar Nishani
Presidenti Bujar Nishani, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Bajramit, duke u shprehur se nuk ka gjë më të aftë se kjo festë për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet.
Sipas tij, është kjo festë e madhe që ka aftësinë e rrallë për t’i bërë të rinjtë më të pjekur, të moshuarit më të rinj, të sëmurët më të shëndetshëm, të shëndetshmit më të mëshirshëm, fatkeqët më pak të dëshpëruar, fatlumturit më të përmbajtur, fukarenjtë me më tepër shpresë, zengjinët më zemërgjerë. Në përfundim të mesazhit, Presidenti uroi edhe të gjithë ata besimtarë jomyslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajrami
Ish-kryeministri Sali Berisha
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha mbrëmjen e djeshme, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ka uruar të gjithë besimtarët Natën e Bajramit, duke u uruar përzemërsisht gëzime e mbarësi.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë ju uroj përzemërsisht Natën e Bajramit, shume gëzime, mbarësi dhe suksese le të sjelle në zemrat dhe vatrat tuaja dhe të çdo shqiptareje dhe shqiptari kjo natë e madhnueshme. GEZUAR!!!”, shkruhet në mesazhin e Berishës në ‘Facebook’.



