Referuar kushteve atmosferike, ndryshimit të motit me të reshura më të dendura të
borës në vendin tonë, apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë
kujdes më të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve në trafik.
Ju informojmë se Policia e Kosovës përmes planeve konkrete me njësitet e saj ka
marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në
të gjitha akset rrugore, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të
aksidenteve në trafik.
Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga
drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u
përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve, sepse tani të
reshurat ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore
mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin rrugor e sidomos në orët e vona dhe ato
të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica, njofton Policia Kosovës.
Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të
respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të posedojnë pajisjet
e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve
atmosferike, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre
dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.
Në të kundërtën Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do
të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me të vetmin qëllim
për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të
atyre me pasoja fatale, thuhet në njoftim nga Policia Kosovës.


