Policia finlandeze ka thënë sot se azil kërkuesi maroken, i cili e ka pranuar se i ka vrarë dy gra në një sulm me thikë javën e kaluar, është identifikuar nga autoritetet. Ai u kishte dhënë identitet të rrejshëm zyrtarëve finlandezë kur ishte futur në Finlandë në vitin 2016.
Policia ka theksuar se i dyshuari kryesor, i cili më parë u identifikua si Abderrahman Mechkah, 18-vjeçar, ishte lindur në vitin 1994 në Marok, transmeton Express.
“Identiteti i tij tashmë është konfirmuar, pra tash e dimë se me kë kemi punë,” ka thënë kryeinspektorja e Zyrës Kombëtare të Hetimeve, Crista Granroth, për Reuters.
Policia nuk e ka publikuar emrin e vërtetë apo moshën e të dyshuarit.
Tetë persona u lënduan në sulmin me thikë të 18 gushtit në qytetin bregdetar jugperëndimor të Finlandës, Turku, i cili po hetohet si sulmi i parë terrorist në Finlandë.
I dyshuari, i cili është në paraburgim, ka thënë në gjykatë se është përgjegjës për sulmin, por e ka mohuar se motivi i tij ishte terrorizmi.


