Pilotët amerikanë janë duke u përgatitur për të kryer më shumë sulme ajrore ndaj luftëtarëve të ISIS-it dhe militantëve talibanë në Afganistan.
Për pilotët luftëtarë në bazën më të madhe ushtarake të SHBA-së në Afganistan, strategjia e re për luftë e presidentit Donald Trump do të thotë përshkallëzim i një fushate ajrore veçse të ashpër, e cila ka mundësi të përfshijë edhe një ofensivë të papërmbajtshme kundër talibanëve, transmeton Express.
Numri i sulmeve ajrore në Afganistan tashmë është rritur në mënyrë dramatike qëkur Trump mori detyrën zyrtare si president në janar, nga 1.074 gjatë gjithë vitit 2016 në 2.244 vetëm këtë vit deri më datën 20 gusht.
Pak detaje janë bërë publike rreth strategjisë së Trumpit në Afganistan, por pilotët në Bagram janë duke u përgatitur për mundësinë që ta bëjnë luftën kundër talibanëve në një mënyrë që s’e kanë bërë që prej se misioni luftarak i udhëhequr nga SHBA-ja në Afganistan u anulua në fund të vitit 2014.
Në mesin e caqeve që prej atëherë kanë qenë edhe militantët e ISIS-it, të cilët janë aktiv në Afganistan.
“Mes dy grupeve, talibanët janë më të mençur”, ka thënë piloti Daniel Lindsey për Reuters.
“Është shumë më vështirë ta vrasësh një taliban,” ka shtuar ai


