Për herë të dytë fillon rigjykimi në rastin për dallaveret me prona në Lipjan

PUBLIKUAR

Në seancën e së enjtes, ka filluar për herë të dytë rigjykimi në rastin e të akuzuarit për mashtrim, Rasim Llugiqi.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi, më 12 maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së saj, të dëmtuarën Millka Simianoviq.

Kjo, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurosh, me arsyetimin e tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë kësaj seance palët në procedurë kanë paraqitur fjalët hyrëse si dhe propozimet e tyre.

Prokurorja Fatmire Cacaj, gjatë fjalës së saj hyrëse, ka deklaruar se edhe në këtë fazë të rigjykimit për herë të dytë për vërtetim të drejtë të gjendjes faktike të përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës, do të administrohen dhe shqyrtohen provat.

Prokurorja deklaroi pjesë e këtyre provave janë dëgjimi i palëve të dëmtuara Milorad Simijonoviq dhe Slavisha Slmjonoviq, i cili është i ndjerë, mirëpo përfaqësohet nga pasardhësit e tij, Aleksander e Aleksandra Slmjonoviq, Vesna Simijonoviq dhe Smilana Markoviq. Gjithashtu, prokurorja e rastit ka propozuar të lexohen deklaratat e mëhershme të dëshmitarit Bajram Mziu, Isa Gashi, Odise Saluka, dhe ajo e ekspertit financiar, Shaban Bahtiri.

Gjatë fjalës së saj hyrëse, prokurorja shtoi se do të bëhet leximi dhe administrimi i të gjitha provave të propozuara në aktakuzë, të cilat ndërkohë janë propozuar dhe plotësuar gjatë shqyrtimeve gjyqësore të cilat janë kontrata e shitblerjes për paluajtshmërinë, marrëveshja mbi hapjen e llogarisë individuale dhe kartela e “Raiffaisen Bank” në emër të Milka Simijonoviq, pasqyra bankare lidhur me pagesën, transferet, deponimet në llogarinë të pandehurit Llugiqi dhe të dëmtuarës Milka Siimijonoviq, dëftesat e pagesave, certifikata mbi të drejtën e pronësisë në emër të Milora dhe Slavisha Simijonoviq, vërtetimi i kontratës për shitblerje të palujatshmërisë, ekspertiza e ekspertit financiar, si dhe në fund mbrojtja e të pandehurit.

Sipas prokurores, do të vërtetohet se i pandehuri me veprimet e tij ka mashtruar dëshmitarin Milka Simjonoviq dhe i ka shkaktuar dëm material të dëmtuarve me veprimet e tij.

Xhafer Maliqi, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Vesna Simijonoviq, në fjalën e tij, deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë si dhe kërkesës së parashtruar pronësore juridike me propozim që të anulohet kontrata e lidhur mes Llugiqit dhe të autorizuarës.

Maliqi, ka propozuar që të administrohet si provë deklarata e të akuzuarit e dhënë në burgun hetues në Gjilan, e datës 18 mars 2010, në prani të avokatit Faruk Brestrovci, sipas kërkesës së prokurorit të atëhershëm Rexhep Maqedonci.

Gjithashtu, Maliqi ka deklaruar se duke u referuar vërejtjeve të Gjykatës së Apelit, që të mënjanohen kontradiktat dhe të verifikohet kredibiliteti i deklaratës Markoviq Smlno, e cila ka dëshmuar dy herë në shqyrtimet e mëparshme, propozon që përmes EULEX-it të kërkohen nga stacioni policor në Kurshumli, datat e hyrjes dhe daljes së Markoviq Smilanës, nga 1 maj deri në fund të qershorit të vitit 2009.

Zharko Gajiq, përfaqësuesi i të dëmtuarit Milora Simijonoviq, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se pranon të gjitha propozimet të cilat i ka prezantuar prokurorja dhe avokati Xhafer Maliqi. I njëjti deklaroi se dëshiron të shtojë që në kontratën e cekur e cila ka qenë lëndë e nënshkrimit e që vetëm në mënyrë faktike është cekur çmimi në shumë prej 180.000, kurse çmimi i vërtetë ka qenë 468.000 euro, avokati tha se ky është çmimi real i vlerës dhe ka qenë çmimi i marrëveshjes për shitjen e palujtshmërive.

Gajiq më tutje deklaroi se propozon që përmes institucioneve përgjegjëse të sigurohet kontrata kur ka filluar punë restoranti “Metropol” në Mërdare gjatë periudhës maj të vitit 2009, konkretisht 1 maj, ngase sipas tij, ky restorant në atë kohë fare nuk ka qenë në funksion, e sipas tij, këtë fakt edhe e autorizuara e të dëmtuarve e ka cekur kur ka thënë se kurrë nuk është takuar me të pandehurin në këtë periudhë kohore.

Fehmi Shala, avokati mbrojtës i Rasim Llugiqit, ka deklaruar se është opinion i palës mbrojtëse se ky rast penal është i sajuar.

Ai deklaroi se konsideron se nga një shitblerje e cila ka rezultuar në mënyrë si është paraqitur në shkresat e lëndës, e autorizuara e ish-pronarëve, duke parë situatën se nga shitblerja me Rasim Llugiqin, mund të përfitojë personalisht, ku gjatë shitblerjes sipas tij, ka përvetësuar shumën prej 150 mijë euro të cilën e kishte planifikuar edhe më parë.

Sipas Shalës, këtë shumë qartë e ka treguar dëshmitarja Smilana Markoviq, kur kishin qenë mysafirë te i akuzuari, e njëjta kishte deklaruar se e autorizuara e ish-pronarëve i ka treguar se nga shuma e shitblerjes prej 180.000 euro, ish-pronarëve do u tregojë vetëm për shumën prej 30.000 euro, kurse 150.000 do t’i ndal për vete.

Shala, deklaroi se propozim i palës mbrojtëse që mos të prolongohet kjo çështje penale është që drejtpërdrejtë të dëgjohet vetëm dëshmitarja Milka Simijonoviq, ndërsa deklaratat e dëshmitarëve të tjerë të lexohen. I njëjti ka propozuar të administrohen të gjitha provat e propozuara nga prokuroria, pasi sipas tij, për të gjitha mbrojtja ka sqarime.

Duke ju referuar propozimeve të palëve të dëmtuara, Shala deklaroi se kërkojnë që përmes EULEX-it të sigurohet fati i kallëzimit penal që Milka Simijonoviq ka bërë në polici në Nish kundër Smilana Markoviq, lidhur me këtë mashtrim.

Mbrojtja, po ashtu ka kërkuar që të sigurohet nga Serbia  fakti se komandanti i policisë kufitare në Kurshumli, a ka të bëjë me dokument që ka lëshuar që referohet pala e dëmtuar, pasi sipas tij mbrojtja ka informatë që është shkaktuar pikërisht për këtë gjë që ata konsiderojnë së dokumenti është i falsifikuar.

Kurse, sa i përket, propozimit të Zarko Goriq, mbrojtja ka deklaruar se propozon që të ftohet pronari i restorantit “Metropol”,  emrin e të cilit gjykatës do t’ia sigurojë brenda 5 ditësh.

Para paraqitjes së fjalës hyrëse, prokurorja ka deklaruar se pas ndryshimit dhe plotësimit të aktakuzës, Milka Simijonoviq nuk ka qenë më e dëmtuar dhe nuk e ka pasur atë cilësi, por e njëjta ka qenë dëshmitare, e cila sipas saj, i ka përfaqësuar interesat e të dëmtuarve sipas  autorizimit dhe edhe më tej mbetet dëshmitare në procedurë.

Xhafer Maliqi, ka deklaruar se duke ju referuar aktvendimit të Gjykatës së Apelit, sipas tij i njëjti kushtëzon rregullimin e aktakuzës përkatësisht dispozitivit të saj mbi bazën e provave të nxjerra dhe udhëzon gjykatën që të nxjerr prova të reja për vërtetimin e gjendjes faktike.

Kurse, Fehmi Shala, deklaroi se sa i përket aktakuzës dhe provave të reja dyshon se do të ketë prova të reja, ndërsa sa i përket Milka Simijonoviq deklaroi se përmes fjalës së tij hyrëse do të propozojë që të ftohet dhe të dëgjohet edhe njëherë.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 14 maj, me fillim nga ora 10:00, më 15 maj me fillim nga ora 9:00, si dhe më 16 maj.

Në seancën e kaluar të mbajtur më 1 shkurt 2018, në të cilën kjo lëndë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, Rasim Llugiqi, i akuzuar për mashtrim lidhur me një pronë në Lipjan, është deklaruar përsëri i pafajshëm.

Sipas vendimit të marrë nga ana e Gjykatës së Apelit, më 16 janar 2017, Gjykata Themelore kishte bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale kur kishte marrë vendim për dënimin e të akuzuarit Llugiqi, me 6 muaj burgim efektiv.

Sipas të dhënave, ky proces gjyqësor kishte qenë në rigjykim edhe në vitin 2016, ku më pas ishte marrë vendimi më 18 maj 2016, lidhur me shpalljen e të akuzuari Llugiqi, fajtor për veprën penale “mashtrimi”.

Mirëpo, pas ankesës së avokatit Fehmi Shala këtë aktgjykim e ka anuluar Gjykata e Apelit dhe lëndën e ka kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi, më 12 maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veproi në dëm të pasurisë së saj të dëmtuarën Millka Simianoviq.

Kjo kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurosh, me arsyetimin e tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.

Për herë të dytë fillon rigjykimi në rastin për dallaveret me prona në Lipjan

SHIKO MË SHUMË

Gjendet i vdekur në shtëpinë e tij një burrë në Janjevë

Një burrë është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës në Janjevë. Policia ka...

Burri rrahu gruan dhe vajzën në Lipjan, më pas u arratis

Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur në Lipjan, ku burri...

Vrasje në tentativë në Brus të Lipjanit, e gjuajti me armë zjarri dhe u largua, i lënduari mori tretman mjekësor

Një vrasje në tentativë ka ndodhur dje pasdite në Brus të Lipjanit. Atje një burrë...