Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka kërkuar përgjegjësi për lëshimet e bëra në provimin pranues në Fakultetin e Mjekësisë. Organizatat e studentëve i kanë dhënë përkrahje protestës së paralajmëruar të nga konkurruesit për statusin e studentit në Mjekësi, dhe kanë kërkuar raport nga rektori Anton Berishaj, lidhur me gabimet që kanë ndodhur në hartimin e provimit pranues të Mjekësisë.
“Parlamenti Studentor përkrah aplikantët për statusin e studentit që protestojnë të martën në ora 11:00. Ne e vlerësojmë me të drejtë protestën e tyre dhe kërkojmë përgjegjësi nga menaxhmenti i UP-së dhe të i pranoj të gjithë studentët që u likuiduan si pasojë e gabimeve të tyre që ndikuan në përzgjedhjen jo të drejtë të kandidatëve për student”, thuhet në kumtesë.
Më tej thuhet se Parlamenti Studentor ka reaguar menjëherë dhe ka kërkuar përgjegjësi te Rektori i Universitetit pas publikimit në mediat tona për gabimet në provim pranues.
“Madje edhe ditën e enjte në mbledhje të senatit përfaqësuesit senator student nga PSUP-ja kanë kërkuar raport nga Rektori dhe Dekani i Mjekësisë. Arsyetimi i vetëm i tyre ishte se ky gabim ‘teknik’ i tyre nuk ndikon në rezultat dhe në përzgjedhjen e kandidatëve. PSUP-ja beson se katër pyetje gabim nuk ka asnjë mundësi logjike të mos ndikoj në renditjen e studentëve ku dihet që në Fakultetin e Mjekësisë aplikantit një pyetje gabim i kushton me minus 0.2 pikë dhe me kaq pikë janë të renditur mbi 50 student në drejtimet e ndryshme ne Fakultetin e Mjekësisë”, thuhet në kumtesë.
PSUP-ja po grumbullon fakte dhe të dhëna për këto gabime dhe do të vazhdojë t’i kërkojë menaxhmentit dhe gatishmëri që të pranojnë përgjegjësitë dhe të japin llogari për veprimet e tyre, duke qenë të përgjegjshme dhe transparente.
“4 pytje gabim X (-0.2)= -0.8 pikë për Rektorin dhe Dekanin e Mjekësisë janë gabime teknike apo interes i dikujt dhe mospërgjegjësi e askujt?!!”, thuhet në kumtesën e PS të UP. /Telegrafi/



