E plotësuar 12:37) Në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bërë homazhe pranë obeliskut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kazermën “Adem Jashari”, e janë zhvilluar aktivitete tjera nga Ministria e Mbrojtjes.
Me këtë rast, krerët e shtetit nderuan sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për liri.
“Sa herë vjen 5,6 dhe 7 marsi kujtesa jonë rikthehet te ditët e krenarisë dhe lavdisë ku në Prekazin heroik u zhvillua beteja historike. Një armatë e tërë vrastare kundër një familje të vetme. Kulla e tyre ishte Kosova. Epopeja e Prekazit dhe flijimi i tyre ndryshoi zhvillimin e kursit për liri e pavarësi. Me mijëra vajza e djem iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë të lavdishme ua rikujtojmë se Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar me kushtetutë e institucione të bazuara në vlerat dhe standardet më të larta. Ne do ta mbrojmë lirinë dhe paqen me çdo kusht”, deklaroi shefja e shtetit, Vjosa Osmani.
Kurti: Ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë gjithmonë paqen
Kurse kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se si në çdo mars “ne jemi këtu në një nga vendet më të duhura për kujtimin dhe kuptimin e epopesë”.
“Ky vend mban emrin e duhur dhe njerëzit e duhur. Ne e njohim historinë tonë, ne e vlerësojmë historinë tonë, sepse ajo është e dendur në vepra. Ne jemi shumë sepse bartim në mendje emra të shquar. Secili është më shumë se vetvetja. E ajo që jemi më shumë se vetvetja na bënë të gjithëve bashkë. Tani epoka po flet ndryshe. Së pari sepse ne jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Ne jemi shtet i një shoqërie që synon zhvillimet perëndimore e demokratike. Së dyti, sepse epoka dhe vetëdija po ndryshojnë. Po kuptohet gjithandej se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë gjithmonë paqen. Paqja dhe padrejtësia nuk mund të bashkëjetojnë”, deklaroi Kurti.
Fillon manifestimi Epopeja e UÇK-së, në kazermën ‘Adem Jashari’

Në kazermën ‘Adem Jashari` ka filluar ceremonia për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Në këtë manifestim marrin pjesë liderët e lartë shtetëror.
Presidentja dhe Komandanti i FSK-së kanë bërë inspektimin e kuadrateve.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, të cilët janë prezentë në këtë manifestim, do të mbajnë nga një fjalë rasti.




