Liderja de fakto e Myanmar, Aung San Suu Kyi, e ka një shans të fundit për ta ndalur ofensivën e ushtrisë që i ka detyruar qindra mijëra myslimanë të etnisë rohingya të ikin jashtë shtetit, ka thënë shefi i OKB-së, Antonio Guterres.
Guterres ka thënë për BBC se nëse Suu Kyi nuk reagon tani, tragjedia do të jetë absolutisht e tmerrshme, transmeton Express.
OKB-ja ka paralajmëruar se ofensiva e ushtrisë së Myanmarit mund të përbëjë spastrim etnik.
Ndërkohë, Myanmar thotë se është duke iu kundërpërgjigjur sulmeve vdekjeprurëse të muajit të kaluar nga militantët dhe e mohon se po i sulmon civilët.
Ushtria e nisi ofensivën e saj pas sulmeve ndaj policisë në shtetin verior Rakhine.
Në një intervistë me programin e BBC-së “Hard Talk” para Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së të kësaj jave, Guterres ka thënë se Aung San Suu Kyi e ka rastin e fundit ta ndalë ofensivën gjatë adresimit të saj në OKB të martën e ardhshme.
“Nëse ajo nuk e ndryshon situatën tani, atëherë mendoj se tragjedia do të jetë absolutisht e tmerrshme dhe fatkeqësisht nuk e shoh se si kjo mund të ndryshojë në të ardhmen”, ka thënë Guterres.


