Ngushëllimeve të shumta për vdekjen e artistit të njohur Bujar Lako i është bashkuar edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Ai ka patur mundësinë ta njohë nga afër ikonën e aktrimit shqiptar dhe përmes postimit në rrjete sociale tregon se nuk do t’i mungojë vetëm Bujari aktor, por kryesisht Bujari miku i tij.
Përmes videos ku shfaqet Bujari me gërnetë në filmin “Gjeneral Gramafoni”, Rama kujton kohën kur e njohu aktorin përmes paralelizmit me djalin e vogël që ndodhet në këtë skenë.
Ai ka theksuar se dy boshllëqet që i la Bujar Lako me largimin e tij nga jeta: “Kam qenë sa ky fëmija këtu kur e njoha Bujon… E s’kam si ta besoj dot se nuk do t’i çoj dot më shishen e verës për ditëlindje e s’do ta marr më mesazhin e tij për Vitin e Ri…ÇFARË TRISHTIMI!,”-përfundon postimin e tij Kryeministri.
Bujar Lako u nda nga jeta mëngjesin e së hënës në orën 08:30 për shkak të një ataku kardiak./Gazeta Express/



