Mediet shtetërore në Iran kanë raportuar se nga një sulm në një bazë ushtarake në jug të vendit ka mbetur i vdekur një person dhe pesë të tjerë janë lënduar.
Televizioni shtetëror iranian ka njoftuar se sulmi në bazën ushtarake të Basijit në jug të Iranit ka ndodhur në mëngjes, gjatë kohës kur po ngritej flamuri. Mohammad Hadi Marashi, zëvendësguvernator i provincës, ka thënë se të gjitha viktimat janë anëtarë të bazës “Basij”.
Nuk janë dhënë hollësi të tjera për sulmin dhe asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë veprim terrorist. Para pak ditësh, në këtë provincë kishte ndodhur një shpërthim, nga i cili mbetën të plagosur tre persona.
Ky rajon është i banuar kryesisht me myslimanë sunitë, ndërsa dhuna shkaktohet kryesisht nga trafikuesit e drogës. Sulmi i fundit ndodhi pikërisht në kohën kur Irani po e shënon përvjetorin e Revolucionit Islamik, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express


