Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka mbetur hatri nga partitë e koalicionit PAN dhe Vetëvendosja, të cilat ishin bërë bashkë për ta rrëzuar Qeverinë “Mustafa”.
Partia e Isa Mustafës pret që këto parti të bëhen bashkë për të formuar institucionet ashtu siç u bashkuan për të votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga LDK.
Agim Veliu, nënkryetar i këtij subjekti, beson se këto parti do të bëhen bashkë për të formuar qeverinë e ardhshme.
“Presim që institucionet t’i formojnë ato subjekte që i kanë numrat. Ato që janë bërë bashkë me rrëzu qeverinë. Në këtë rast PAN dhe Vetëvendosje me listën serbe dhe pakicat tjera. I kanë numrat e mjaftueshëm dhe mund ta bëjnë qeverinë pa problem”, ka thënë Veliu për ‘Indeksonline’.
Duke folur për mundësinë që AKR-ja t’i bashkohet koalicionit PAN, zyrtari i lartë i LDK-së thotë se ky do të ishte kontrabandim i vullnetit të votuesve të koalicionit të LDK-së.
“Pres qe Pacolli t’i qëndroj besnik koalicionit me LDK-në, ne kemi hyrë me vullnet dhe nuk ka kurrfarë kuptimi tash me u kontrabandu vullneti i votuesve të koalicionit të LDK-së. Ata e kanë dhënë votën për këtë grupacion. Unë nuk besoj se ata mund ta bëjnë ndonjë veprim të tillë”, ka shtuar Veliu.
Veliu nuk ka dashur të komentojë mundësinë për bashkëpunim më AAK-në dhe Nismën për sa kohë qe ato janë pjesë e koalicionit PAN.
Krejt në fund ai ka thënë se LDK-ja nuk do ta mbështesë në asnjë formë PAN-in për ta formuar Qeverinë.


