Lipjani feston shtatëmbëdhjetë vjetorin e çlirimit. Me këtë rast, përveç aktiviteteve të shumta kulturore- sportive që janë mbajtur që nga një- Qershori, sot në sallën e Kuvendit të Komunës është mbajtur një ceremoni solemne, e cila është organizuar nën kujdesin e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.
Kreu komunal i Lipjanit, Imri Ahmeti, duke uruar qytetarët lipjanas për këtë ditë të rëndësishme ndër të tjera ka theksuar, t′a jetojmë lirinë në vendin tonë. T′a duam e t′a zhvillojmë vendin tonë me ndërgjegje të pastërt për veprimet tona të përgjegjshme.
Fjala e plotë e Kryetarit Imri Ahmeti.
Të nderuar qytetarë të Komunës së Lipjanit
Sot natyrshëm po shënjojmë ditën e Çlirimit të vendit, ditën e frymimit lirshëm pas rrugëtimit të gjatë, shekullor, të vuajtjeve e sakrificave gjithëpopullore deri në vetflijim. Këtu e 17 vite më parë u finalizuan përpjekjet konsistente të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Në këtë ditë u kurorëzua liria e vendit tonë, që ishte ëndërr dhe përpjekje e shumë gjeneratave, prandaj kjo ditë është dita më e madhe në historinë e re të vendit tonë.
Sot rifreskojmë memorien si dukej liria, si ndjehëshim ato ditë. Sot kujtojmë emocionet e çlirimit të vendit kur përfundimisht po ndjehej heqja e okupimit klasik serbomadh e zullumqar të ideologjisë serbe për zhbërje e zhdukje të shqiptarëve.
Dita e çlirimit të vendit si sot e përherë do shënjohet jo vetëm në kujtim të ndjenjës së lirisë por edhe detyrim i respektit, kujtimit e nderimit të gjithë organizimeve ndërshqiptare përgjatë gjeneratave për të ndërtuar shtet e mvetësi, për të veçuar djemt dhe vajzat, burrat dhe gratë – dëshmorë e martir të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Kjo vlerë e ndërtuar me shumë mund, me shumë gjak e sakrificë, vetëdijshëm e me synime të qarta, të ndërtuara nga ideolog e patriot, ndër gjenerata deri në ngritjen e flamurit çlirimtar – na dhuroj lirinë e vendit tonë.
Sot e përherë kushdo që flet dhe e gëzon lirinë e vendit tonë, do respektoj e nderoj përgjithmonë vepren, kontributin e gjeneratave të tëra për lirinë e vendit, sepse ata e shkruajten historinë, ata i dhan vlerë lirisë, sepse dizajnuan, unifikuan, dijtën dhe mundën të punojnë në trojet tona e për atdheun tonë edhe me miq ndërkombëtar vetëm që vendi ynë të gëzoj lirinë dhe pavarësinë.
Të tillë përherë do meritojnë nderime si Ibrahim Rugova e Adem Jashari, Sali Qeku e Agim Ramadani, Zahir Pajaziti e Hamëz Jashari, si dhe gjithë dëshmorët, e martirët e vendit tonë.
Sot shqiptaret e përgjithnji e kujtojnë dhe i mbeten mirënjohës SHBA-ve dhe shteteve aleate nën ombrellën e NATO-s që ndihmuan finalisht e përfundimisht vendin tonë për liri e pavarësi.
Të nderur të pranishëm.
Sot kur po shënjojmë 17 vjet të lirisë sonë.
Si ndjehemi ?
Çfarë emocione kemi ?
Ku jemi si shoqëri e si shtet ?
Kosova ka shënuar progres, vendi ynë sot është shtet i pavarur i pranuar nga shtetet me të fuqishme të globit. Vendi ynë po integrohet në struktura të Europës dhe struktura tjera të Botës.
Por vendi ynë akoma ballafaqohet me sfida. I duhet shtytje e përbashket për të sendërtuar e forcuar shtetin. Për tu integruar përkrah shteteve të zhvilluara përendimore na duhet përkushtim, na duhet punë dhe dashuri ndaj shtetit që vet e krijuam.
Të nderuar të pranishëm
E kaluara e shoqërive dhe historia jonë na dëshmoj se liria ka çmimin e vet. Kjo liri e ndërtuar me gjakun e sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, kjo liri e përpjekjeve shekullore te gjeneratë pas gjenerate, e mbështetur edhe nga miq ndërkombëtar tashmë duhet të ruhet, të kultivohet, të rritet e zgjerohet sepse është produkt i vullnetit, i përpjekjeve , sakrificave, sepse liria ka rregullat e veta.
Vendi ynë ka nevojë për respektimin e normave të pavarësisë e demokracisë, të respektimit të lirisë dhe shtetësisë së vet. Kjo nuk mund të bëhet me inate, me simpati e antipati, me interesa partiake e klanore sepse kushdo qoft që shkel mbi vlerat e lirisë e pavarësisë heret a von do ti dënoj dheu i këtij nënqielli.
Të dashur miq, të nderuar të pranishëm,
Festa e lirisë sot na thërret jo vetem në shënjimin e festimin e ditës së shenjtë të lirisë, por kjo festë troket në ndërgjegjen e sejcilit nga ne – sejcilit qytetar, për respektimin e vlerave që solli lirinë, për vet lirinë e shtetësinë tonë.
Nuk mund të presim të tjeret t′a duan shtetin tonë më shumë se vet ne. Por liria e vendit tonë -shteti ynë është produkt, është fryt dhe vlerë e jona e ndërtuar ne themelet e saj me gjakun e dëshmorëve tonë, e murosur me lotin e vuajtjet e familjeve tona.
Prandaj t′a jetojmë lirinë në vendin tonë. T′a duam e t′a zhvillojmë vendin tonë me ndërgjegje të pastert për veprimet tona të përgjegjshme.
Të nderuar të pranishëm
E gëzofshim sot e përgjithnji lirinë .
Zoti e bekoftë vendin dhe popullin tonë të shtrenjtë
Ju falemnderit!
Po ashtu në kuadër të ditës së sotme, ditës së paqes, janë organizuar edhe shumë aktivitete të tjera kulturore dhe sportive.


